Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në analizën vjetore të punës së Ministrisë së Rendit Publik. Në fjalën e mbajtur me këtë rast Kryeministri Nano u shpreh: "Nuk është rastësi
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në analizën vjetore të punës së Ministrisë së Rendit Publik. Në fjalën e mbajtur me këtë rast Kryeministri Nano u shpreh:
"Nuk është rastësi që zgjodha të vij personalisht në analizën e punës së Ministrisë së Rendit. Arsyet janë të paktën dy: dua të prek nga afër dhe t'ju përgëzoj për arritjen spektakolare që keni sjellë në këtë sektor të rëndësishëm për konsolidimin e autoritetit të ligjit dhe të shtetit të së drejtës në vëmendje të të gjithëve dhe dua të diskutoj me ju se si duhen përballuar më mirë detyrimet që policia e shtetit sëbashku me institucionet e tjera ligjore duhet të përmbushë, që Shqipëria të mos figurojë më as në vemendjen e opinionit të brendshëm dhe as në vlerësimin e aleatëve, jo vetem vend i trafiqeve të paligjshme apo i krimit të organizuar, por as vend tranzit i kriminalitetit rajonal apo më gjërë.
Qeveria është e vendosur për ta konsoliduar më tej autoritetin e ligjit dhe goditjen e shtetit ligjor ndaj këtyre të këqijave dhe dua të ndaj krenarinë dhe kënaqësinë që ju i jeni përgjigjur, qysh me marrjen e votbesimit të kësaj Qeverie në Kuvend, këtij aksioni prioritar të ekzekutivit që nisi me goditje të menjëhershme të kriminalitetit të lartë, të trafiqeve të paligjshme, të korrupsionit, të informalitetit dhe kështu me radhë.
Ne ndërpremë menjëherë dhe në mënyrë përfundimtare trafikun e klandestinëve përmes Adriatikut dhe nisëm aksionet e njëpasnjëshme për të goditur strukturat e tjera të trafiqeve dhe treguesit e përformancës suaj në grafikët e analizës edhe për 2004 e dëshmojnë më së miri këtë gjë.
Ju u vutë në qendër të vëmendjes së reformave për konsolidimin e ligjit në një sistem dhe program që ne sëbashku e vumë në zbatim nën moton: "Drejtësi e organizuar kundër krimit të organizuar". Në këtë funksion, ju u treguat të aftë jo vetëm për të krijuar partneritet ligjor, jo vetëm të Policisë së Shtetit me institucionet e tjera të shtetit të së drejtës, veçanërisht të drejtësisë dhe me komunitetin, por dhe për të forcuar bashkëpunimin me strukturat homologe të vendeve fqinje, të rajonit dhe të organizatave ndërkombëtare apo agjencive të specializuara që na asistojnë dhe nxisin për të forcuar solidaritetin global apo euroatlantik, në luftë ndaj rreziqeve që cënojnë sigurinë dhe rendin publik kudo.
Në këtë funksion, dua të përgëzoj dhe ministrin që me kurajo dhe profesionalizëm ligjor përshpejtoi si asnjëherë tjetër veprimet proceduriale dhe në bashkëpunim me organet e drejtësisë, për të spastruar radhët e policisë nga të korruptuarit dhe të paaftët. Dua gjithashtu, t'ju përgëzoj për vendosmërinë me të cilën vazhdoni të shtoni mirëbesimin e komunitetit për rendin publik, duke investuar për të vendosur rend brenda rendit. Kjo ka dhënë rezultate të prekshme, ndaj ju nxis ta vazhdoni këtë angazhim dhe luftë të suksesshme.
Edhe unë si Kryeministër, edhe qeveria, edhe shoqëria, edhe ju, kemi të njëjtët armiq të përbashkët, të njëjtët armiq me të cilët përballen edhe aleatët tanë dhe institucionet e ligjit kudo në botën moderne. Janë trafikantët, kriminelët e organizuar, terrorristët, janë të gjithë ata që përpiqen të viktimizojnë apo të rekrutojnë njerëz të pafajshëm për të cënuar stabilitetin e sigurisë, apo për të shtuar konfuzionin në lëvizjet e lira në të cilat po përfshihet gjithnjë e më teper edhe vendi dhe rajoni ynë.
Jam këtu për të ndarë me ju shqetësimin e madh që vjen kur mbartës të këtyre rreziqeve cënojnë identitetin e politikës apo të institucioneve dhe për t'ju kërkuar që të ndjeheni të mbështetur dhe sovranë në integritetin që ju jep ligji, për të identifikuar dhe për të bashkëpunuar deri në procedimin ligjor të cilitdo personazh, pavarësisht nga imunitetet që ai mbart.
Dua t'ju siguroj se në këtë luftë nuk jeni vetëm, ashtu sikundër qeveria dhe institucionet e tjera kushtetuese që luftojnë për sigurinë dhe qetësinë publike të shtetit dhe qytetarëve, kemi aleatë të cilët janë në Shqipëri për të shoqëruar procesin e integrimit tonë në strukturat dhe realitetet e sigurisë globale dhe të solidaritetit kundër krimit dhe trafikantëve, terroristëve në shkallë globale. Natyrshëm kjo bisedë merr përmbajtje të vërtetë në këtë mjedis, sepse ju jeni parandalues dhe goditës të radhëve të para, krahas institucioneve të tjera të shtetit të së drejtës. Pra Policia e Shtetit ka një rol determinant dhe të pazëvendësueshëm si strukturë e specializuar e Ministrisë së Rendit Publik.
Unë dua të kontribuoj për t'ju përgjigjur sëbashku me ju pyetjes: çfarë duhet të vazhdojmë të bëjmë, krahas analizës se sa i ka shërbyer Policia e Shtetit dhe strukturat e tjera për parandalim dhe goditje të veprimtarive keqbërësve. Pastaj të shtrojmë dhe të zgjidhim problemin e dytë që shoqëron këtë gjë. Sa shpejt, me ç'instrumenta dhe skeme bashkëveprimi duhet të sjellim efikasitetin dhe performancën e funksionarëve të policisë, të oficerëve të shtetit ligjor dhe institucioneve ku ata kryejnë detyrën në përputhje me standartet e vendeve të përparuara, e vendeve të BE dhe NATO-s.
Dua t'ju përgëzoj dhe inkurajoj për zbatimin me përgjegjshmëri dhe me qendrime proaktive të programit të qeverisë, që përfshin strategjitë e reformës në Ministrinë e Rendit Publik dhe Policinë e Shtetit në të 5 shtyllat bazë të tyre: reformën legjislative, organizimin strukturor, përmbushjen e detyrave institucionale nga çdo nivel drejtues nëpërmjet transparencës dhe llogaridhënies gjithashtu, në aftësimin, trajnimin e pesonelit dhe menaxhimin gjithnjë e më efikas të mbështetjes logjistike për efikasitet.
Ministri paraqiti disa nga arritjet kryesore të punës suaj. Ju do të vazhdoni të ndani këtë përvojë pozitive edhe në këtë analizë. Ne duhet të jemi të qetë dhe të inkurajuar për faktin që është konsoliduar përfundimisht në Shqipëri, në opinionin e gjerë publik, mungesa e dyshimeve për autoritetin dhe aftësinë e Policisë së Shtetit, si institucion që ka në gjirin e vet njerëz atdhetarë, të aftë dhe të përkushtuar për të goditur, parandaluar dhe reduktuar të gjitha llojet e kriminalitetit. Pra, dua t'ju përgëzoj dhe t'ju nxis, duke ndarë me ju kënaqësinë e zhdukjes së dilemave të mirëbesimit të publikut ndaj punës që ju kryeni. Ju falenderoj në emër të Qeverisë për këtë gjë.
Natyrshëm jam këtu për të arsyetuar me ju edhe disa hallka që ende çalojnë, duke zbehur performancën, duke zvarritur efektin e veprimit ligjor goditës që ju bashkon me strukturat e shtetit të së drejtës. Në disa aspekte, në aspektin e reformës legjislative ju keni arritur në përgjithësi të evidentoni çështjet themelore që sjellin ecurinë e ngadaltë të aktivizimit të instrumenteve ligjore e nënligjore në terren dhe në veprimtarinë praktike që ngushton kufijtë, hapësirat e veprimtarive kriminale, keqbërëse e më gjerë.
Ju duhet të shkurtoni ciklin e kalimit nga hartimi i legjislacionit bazë, veçanërisht për ligjet e reja, që e përafrojnë në mënyrë të dukshme kuadrin ligjor të vendit me standartet më të përparuara të botës euroatlantike, deri tek zbatimi i tyre dhe marrja, vjelja e efektit në praktikë që i bën trafikantët, krimin e organizuar, keqbërësit apo terrorristët të ndjehen të pasigurtë në skemat e të tyre.
Reforma legjislative nuk varet vetëm nga hartimi apo përqasja e legjislacionit me standartet moderne. Unë dua t'ju nxis ne kete drejtim, duke vlerësuar faktin që progresioni në këtë fushë, hartimi i legjislacionit të ri dhe tretja e tij në funksion të veprimit është bërë përfundimisht i dukshëm, aktiv dhe i konsoliduar veçanërisht gjatë vitit 2004. E kam fjalën sidomos për veprimet e koordinuara dhe për harmonizimin e goditjeve midis drejtuesve civilë të ministrisë, drejtuesve profesionistë të Policisë së Shtetit, drejtuesve të policisë Kriminale dhe Gjyqësore, drejtuesve të prokurorisë në të gjithë piramidën dhe më pas, bashkëpunimi për provën dhe goditjen ligjore të keqbërësve në gjykata e kështu me radhë. E kam fjalën sidomos për legjislacionin e ri, që sjell goditjen shumëplanëshe të munguara midis veprimit policor që neutralizon dhe shpërbën grupet keqbërëse apo kriminale dhe veprimit institucional, ligjor, jo vetëm policor, që zhduk burimet e ushqimit dhe të funksionimit të veprimtarive kriminale, deri tek asetet e paligjshme ekonomike, apo rrugët e riciklimit a pastrimit të parave që ushqejnë krimin.
Drejtimi i dytë, është nxitja dhe kërkesa për t'ia marrë sa më shpejt efektet vepruese pozitive strukturës së re që keni ndërtuar, duke mënjanuar problematikën e ekzistencës së deridjeshme të strukturave paralele në fushën e personelit, të logjistikës, të administrimit dhe të shërbimeve, duke mënjanuar konfliktin dhe nervozizmin që sjell anomalia fuknsionale, dublimi i detyrave, fryrja e organikave apo ngarkesa fiktive në volum pune, përballë kolegëve apo opinionit publik. Kjo është një sëmundje që cënon ushtrimin e kompetencave dhe efikasitetin e veprimit ligjor. Kjo është një sëmundje që zhduk mundësinë për të ushtruar dhe kontrolluar me transparencë përgjegjësitë e secilit përballë opinionit në funksion të zbatimit të ligjit. Kjo është një sëmundje që zbeh kontrollin dhe operacionalitetin e funksionarëve të policise. Kjo është një sëmundje që pakëson dukshëm efikasitetin e përdorimit dhe menaxhimit të fondeve buxhetore dhe të pronës publike, që ju përdorni për të ushtruar detyrat tuaja ligjore. Këto nuk mund të zhduken përfundimisht si shfaqje të kësaj sëmundje të trashëguar, pa luftuar dhe përjashtuar dilentantizmin nga puna juaj, apatinë, punën me fushata, të cilat duhen depistuar, dezinfektuar me antiviruset e ligjit, nga organikat dhe strukturat tuaja përfundimisht.
Megjithë përmirësimet e vazhdueshme dhe të vlerësueshme në efektin e veprimeve tuaja të koordinuara në luftën ndaj krimit të organizuar, terrorizmit apo trafiqeve të paligjshme, unë besoj se ju duhet të përqëndroheni në mënyrë prioritare dhe shumë profesionale tek forcimi i punës informative, identifikuese, zbuluese dhe parandaluese të krimit. Ka disa elementë që në vlerësimin tonë vuajnë nga mungesa e profesionalizmit akoma. Ka disa elementë që ju bëjnë inferiorë apo të thyeshëm përballë profesionalizmit të strukturave të tjera të shtetit ligjor, apo të paralizuar përballë mungesës së profesionalizmit në hallkat e tjera të sistemit të shtetit të së drejtës, në prokurori, në gjykata, në shërbimet inteligjente etj.
Kanë të drejtë aleatët që na asistojnë dhe që prandaj janë të pranishëm edhe në këtë analizë, për të vazhduar kritikat dhe për të kërkuar më shumë rezultat dhe koordinim në punën goditëse tuajën dhe në punën bashkërenduese, që duhet të konsolidohet me sistemet e tjera që luftojnë dhe neutralizojnë krimin. Në mënyrë të veçantë, ju duhet ta hidhni në erë situatën e burimeve të kufizuara të informacionit që ende ju zë frymën, dmth që nga bashkëpunëtorët apo burimet konfidenciale, deri tek dosarët e ndjekies on-line të rrënjëve, të metamorfozave dhe të lidhjeve të fenomeve kryesore kriminale apo të trafiqeve gjatë të gjithë periudhës së tranzicionit.
Ju duhet ta konsolidoni prezencën goditëse dhe depërtimin tuaj në mjedisin e krimit. Ju nuk mund ta bëni këtë gjë pa kapërcyer mangësitë e dukshme në kontrollin permanent të territorit dhe të rrjeteve, në mangësitë e dukshme në kredibilitetin ende të ulët të provave dhe të informacioneve për situatat kriminale që ndiqni.
Natyrshëm unë kam nxitur dhe mbështetur me të gjitha vendimmarrjet apo fondet, çdo iniciativë të ministrit apo drejtuesve të policisë, për të konsoliduar programet e trajnimit apo teknikat dhe mjetet që ju ndihmojnë për të kapërcyer mangësitë profesionale dhe për ta bërë më të kualifikuar punën informative të policisë, që nga përgjimet, mbikqyrjet, filmimet dhe zhvillimi i mësimeve të përbashkëta treguese dhe skanimit të përvojës me aleatë të brendshëm apo ndërkombëtar të shtetit ligjor; për të kapërcyer mungesat në dokumentimin dhe analizën e efekteve të punës tuaj nëpërmjet kronologjisë së informacioneve dhe programeve policore gjatë më shumë se një dekade tashmë; për të kapërcyer mungesat dhe për të rritur nivelin e udhëheqjes ligjore dhe profesionale të punës suaj, të piramidës suaj, të veprimit kompleks që buron prej tyre dhe veçanërisht të hallkave të koordinimit dhe të kontrollit nga strukturat qendrore deri tek ato të bazës në këtë funksion; për të kapërcyer më në fund mangësitë sensitive që shfaqen në procesin e grumbullimit, verifikimit, vërtetimit dhe të përcjelljes për kompetencë lëndore të informacionit policor, veçanërisht mungesën e vijushmërisë së tij nga komisariatet e policisë në zyrat rajonale, deri në qendër.
Duket se ka një çështje themelore që duhet ta konsideroni në këtë funksion, është ekzistenca e një lidhjeje të dobët të policisë antikrim me komunitetin dhe anasjelltas. Duket se mangësitë në punën tuaj informative lidhen në mënyrë të ndjeshme me mungesën e kontaktit me komunitetin, prandaj ka dhe boshllëqe që nuk mund të tolerohen më në organikën e specializuar të Policisë së Shtetit, sepse kjo sjell jo vetëm efekte në punën parandaluese, por aftësi të ulta të thithjes së informacionit të nevojshëm që janë të pazëvendësueshme për integritetin dhe besueshmërinë e provës së krimit që ju kaloni në organet e hetimit, të gjykimit dhe ndëshkimit të bartësve të krimit.
Unë sinqerisht përpiqem të mos lodhem nga debati i vazhdueshëm midis drejtuesve të policisë apo ministrisë së rendit në disa nivele dhe drejtuesve të prokurorisë dhe gjykatave, për këngën e vjetëruar- ekziston apo jo prova e pakundërshtueshme. Ju duhet të jeni të paepur në krijimin e provës, në bllokimin e provës, në mbrojtjen e saj, jo vetëm nga cënimet e administrimit të saj brenda strukturës suaj, por edhe nga cënimet që vijnë në ciklet jashtë jush. Ju nuk mund të liheni vetëm në ciklin e veprimit ligjor që kthen tek ju një provë të zhvleftësuar, pasi cënohet integriteti i atyre që e marrrin në dorëzim provën tuaj me kredibilitet të ulët. Ju nuk mund të lejoni më që dëshmitarët dhe bllokuesit e provës së krimit të ndërrojnë dëshmitë në fazat pasardhëse. Në qoftë se funksionari i policisë ndjehet i pambrojtur ndaj krimit, ndaj fenomeneve të vjetra të solidaritetit shoqëror apo gjakmarrjes, apo forcës së ryshfetit dhe blerjes së funksionarit, unë ju nxis, ju inkurajoj që të godasim sëbashku pikërisht në të gjitha ato hallka ku është evidentuar vazhdimi i ndikimit të korrupsionit që shkatërron provën dhe ndërpret ciklin e ndëshkimit ligjor, sidomos për personazhe dhe fusha ku ka veprimtari kriminale të përsëritura. Informacioni është kyçi i pushtetit jo vetëm për policinë antikrim, por për të gjithë Policinë e Shtetit. Prandaj kushtojini vëmendjen e duhur administrative, procedurale dhe teknike burimeve të cilësuara proceduriale, veprimtarisë informative policore.
Unë i konsideroj këto probleme të riparueshme, sepse kam besim tek vullneti i padiskutueshëm që karakterizon pjesën më të madhe të punonjësve të Policisë së Shtetit, puna e të cilëve, (megjithëse nuk ka pasur, por po e plotëson mbështetjen e duhur logjistike dhe për këtë dua të falenderoj dhe partnerët tanë që kontribuojnë ndjeshëm), do të vazhdojë të jetë e dukshme dhe e prekshme, sidomos në varësi të investimit tuaj njerëzor, profesional dhe ligjor.
Ju e dini tashmë cilat janë hapat që kanë sjellë forcimin e autoritetit dhe të sferës së veprimit tuaj në përputhje me ligjin. Janë veçanërisht reformat ligjore që i kanë dhënë disa strukturave të Policisë së Shtetit atributet e Policisë Gjyqësore. Veprimtaria e policisë kërkon, krahas marrjes së masave me karakter administrativ, parandalues dhe shtrëngues edhe sigurimin e kushteve të nevojshme proceduriale për ushtrimin e ndjekjes penale dhe oficeri i Policisë Gjyqësore duhet të bëhet integral dhe konkurues si njohës i mirë i legjislacionit për Policinë e Shtetit dhe veçanërisht i legjislacionit procedurial penal.
Është determinante të funksionojë si hallkë ndërmjetëse me efiçencë proceduriale policia gjyqësore, midis policisë antikrim dhe prokurorisë. Vetëm në këto raste mund të presim forcimin e kredibilitetit të provës dhe për pasojë dënimin e padiskutueshëm të autorëve të veprave kriminale.
Një aspekt i rëndësishëm i ecurisë së reformës në rend ka qenë dhe mbetet trajtimi dhe trajnimi i personelit policor, që tashmë rezulton i plotësuar nga pikëpamja normative. E kemi të qartë që punën e bëjnë njerëzit. Vetë karakteri specifik i institucionit tuaj kërkon që kuadri i profesionit të zgjidhet dhe t'i shërbejë një funksionimi afat gjatë në kohë. Le t'i japim fund "kërcënimit" të paqëndrueshmërisë dhe të përkohshmërisë të funksionarëve në Policinë e Shtetit dhe këtu janë hedhur hapa të rëndësishme dhe decizive, veçanërisht gjatë vitit të fundit. Ministria e Rendit Publik dhe Policia e Shtetit nuk mund të kenë nga ana tjetër luksin e shpenzimeve të mjeteve financiare dhe materiale të pashoqëruar me përgatitje specialistësh, që e marrin për një kohë të qëndrueshme në dorëzim këtë investim, pra që nuk largohen nga puna ende pa e filluar mirë atë.
Në këtë proces nuk mund të lejojmë më që shpenzimin e madh buxhetor apo të asistencës së donatorëve për sektorët prioritarë të forcimit të shtetit, trajnimin, brenda apo jashtë vendit të funksionarëve, ta humbasim, sepse nuk është identifikuar mirë titullari apo marrësi në dorëzim i investimit apo trajnimit që shteti i së drejtës u jep funksionarëve të ligjit.
Dua të veçoj këtu disa nga pikat e dobëta të rregullimit dhe menaxhimit të personelit që duhen korrigjuar, veçanërisht fenomene që lidhen me: mungesën e një strategjie të qartë për menaxhimin perspektiv të personelit, të gjitha shfaqjet e mosfunksionimit siç duhet, në parametrat e ligjit dhe të akteve nënligjore të Këshillave emërues, lëvizjet e shpeshta e pa kriter apo motivacion të detajuar apo argumente ndihmëse të funksionarëve, situatën infektive që sjell fenomeni i lënies në dispozicion apo i rimarrjes në punë të funksionarëve jashtë kritereve ligjore, mungesat serioze të dokumentimit në dosarët e trajtimit të personelit, që sjellin pastaj mungesë përgjegjshmërie në kryerjen e vlerësimeve apo vërtetimeve të personalitetit të punonjësit të policies.Dhe në fund, në mënyrë përmbledhëse për të gjitha këto mangësi në trajtimin e personelit, nevoja për të goditur frontalisht dhe me rrënjë fenomenin dhe realitetin e preferencave për të punuar në vende të mira, të cilat krijojnë dhe lobingje në trafiqe brenda rendit, për të mos thënë këto janë pikat e para ku politika e korruptuar ushtron presion mbi Policinë e Shtetit.
Duhet të jetë përfundimisht e qartë që në strukturat tuaja nuk mund të punojnë miqtë e askujt, pëveç miqve të ligjit, të profesionalizmit dhe të përkushtimit atdhetar dhe demokratik për të goditur keqbërësit dhe kriminelët. Jam i detyruar të kërkoj në këto kushte, që në procesin e reformimit institucional të Policisë së Shtetit t'i kushtoni rëndësi të dorës së parë testimit të punonjësve ekzistues njëlloj me kandidatët e rinj.
Unë besoj se ndajmë të njëjtin shqetësim, bindje dhe angazhim, që cënimi i cilësdo prej hallkave të punës suaj, i kredibilitetit dhe efikasitetit të saj përbën cënim të imazhit dhe autoritetit të shtetit. Sepse polici i shtetit është pika më e shpeshtë e kontaktit të shtetit me qytetarin. Dhe ju nuk mund të humbisni vëmendjen për asnjë çast ndaj kësaj të vërtete.Çdo gjest i juaji, çdo ekses të drejte apo mosushtrim përgjegjësie, që nga sjellja korrekte dhe ligjore deri tek mungesa e tolerancës për të mosvepruar ndaj keqbërësit apo dëshmitarit të keqbërjes, janë dukuri endeme të korrupsionit, nuk mund të konsiderohen më gjeste personale, nuk mund të konsiderohen thjesht dhe vetëm gjeste që cënojnë imazhin e policit apo të funksionarit të policisë, janë akte dhune apo cënim i imazhit apo kredibilitetit të autoritetit dhe efikasitetit të ligjit dhe të shtetit ligjor. Në të gjitha shoqëritë dhe shtetet demokratike policia është autoriteti kryesor që përdor pushtetin e ligjit për ta siguruar zbatimin e ligjit. Kjo është detyra parësore e saj dhe prandaj në të gjitha shoqëritë demokratike funksionet represive të institucioneve policore janë vetëm në funksion të zbatimit të ligjit.
Nuk mundet që në mendjen apo krahët e cilitdo njeriu me uniformë në radhët tuaja të dominojë ushtrimi i të parëve, interesi i xhepit apo interesi i një pale të tretë që futet midis ligjit dhe krimit, cilado qoftë ajo. Nuk mundet të veprohet në mënyrë arbitrare në funksionin e policit të shtetit as për motive personale as për motive shoqërore. Integriteti i cilitdo funksionari varet nga kontrolli që ushtrohet mbi të dhe nga trajnimi i tij për t'iu përgjigjur parametrave të ligjit dhe profesionit që garanton zbatimin e tij në cilindo detyrë.
Për të gjitha këto arsye, unë besoj se ju duhet ta vazhdoni aksionin për spastrimin e radhëve të policisë, ta mbani gjithnjë aktiv dhe proaktiv mjedisin e solidaritetit midis dhe brenda jush për të mos lejuar cënimin jo vetëm të imazhit por të atributeve, përgjegjësive dhe të drejtave të funksionarit apo të oficerit të policisë përballë shkelësve të ligjit, të korruptuarit, të paaftit apo dhunuesit të lirive apo të drejtave të njeriut. Jam i bindur se ju dini ta bëni këtë gjë, e cila po kryhet me sukses në radhët e policisë, prandaj ju inkurajoj ta thelloni akoma më shumë. Nuk na duhen individë "të fortë", cuba me uniformë, na duhet polici institucionalisht e fortë dhe për shkak të profesionalizmit, e konsoliduar me aftësinë për të vepruar sipas ligjit me shumë efikasitet. Kjo kërkon strukturë efiçente, profesionalizëm dhe sjellje të punës suaj, të sjelljes suaj në standartet e policive euroatlantike, të cilat i prekni në sjelljet, në programet, në asistencën dhe në kërkesat e kritikën e partnerëve me të cilët punoni.
Rastet e brutalitetit në sjellje dhe veprime të policit në raport me shtetasin, veçanërisht ato më të dënueshmet dhe sensitivet që lidhen me ushtrimin e panevojshëm të dhunës fizike nuk mund të tolerohen nga askush prej jush. Prandaj këta "personazhe" duhet të largohen pëfundimisht dhe pa kthim nga rradhët tuaja, duke i zëvendësuar me specialistë profesionistë që për shkak të besimit te forca e ligjit janë të qetë kur e ushtrojnë atë.
Nuk ka nevojë të shpikni, prandaj thitheni me të gjithë dëshirën dhe përgjegjësinë, për t'i shërbyer komunitetit dhe ligjit, të gjithë përvojën dhe eksperiencën që kanë sjellë midis jush dhe në territorin e Shqipërisë ekspertët ndërkombëtarë, përfaqësuesit e agjencive të specializuara të policisë dhe të luftës për parandalimin, hetimin dhe ndëshkimin e krimit nga vendet e përparuara me të cilët punojmë.
Mësohuni ta konsolidoni dhe ta bëni të painfektueshëm të gjithë bashkëveprimin dhe bashkëpunimin tuaj me ta, me të gjithë oficerët që kanë ardhur për të konsoliduar efikasitetin e strukturave shqiptare në fushën e rendit, në luftën kundër kriminalitetit dhe forcimit të të gjithë treguesve të sigurisë në Shqipëri. Sa më mirë e keni bërë këtë gjë, aq më shumë ia keni shijuar vetes, sepse kjo ka shpejtuar ritmin e disbursimit apo ka zgjeruar hapësirën e asistencës së partnerëve ndërkombëtare ndaj jush në sektorë prioritarë, siç konsoliduar dhe ju ka dhënë dhe ju kënaqësi bashkëpunimi me prokurorinë apo me organe të tjera të specializuara dhe prova më e mirë për këtë janë aksionet e përbashkëta që bëni, të cilat edhe kohët e fundit, edhe siç i vlerësoi ministri, po bëhen gjithnjë e më efikase, përballë të cilave ju po ndërtoni një mënyrë tjetër bashkëveprimi, sjellje por dhe një imazh tjetër të kësaj pune të koordinuar ndërinstitucionale, sepse tashmë nuk takoheni vetëm me prokurorët, në tryezat e koordinimit të veprimeve tuaja goditëse në emër të ligjit, nuk janë vetëm përfaqësuesit e SHISH, por edhe të doganave, të tatimeve dhe të institucioneve të tjera simotra me natyrë parandaluese apo goditëse policore në emër të ligjit. Edhe kjo është një fushë ku duhet ta strukturoni eksperiencën që po krijoni, duhet t'i normoni format dhe metodat e bashkëpunimit për ta bërë dhe më efikase dhe konkret këtë proces.
Unë jam i bindur në aftësitë tuaja për ta vazhduar dhe thelluar këtë analizë, sepse shoh që metodologjia e punës suaj drejtuese dhe fryma me të cilën funksiononi në këtë komunitet të respektuar dhe të mbrojtur nga ligji është shumë pozitive.
Ju uroj punë të mbarë dhe gëzuar festat e fundvitit!"