Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në mesditë në ceremoninë e inagurimit të Monumentit të Nënë Terezës, në sheshin e Universitetit të Tiranës. Në ceremoninë e Inagurimit të Monu
Kryeministri Fatos Nano mori pjesë sot në mesditë në ceremoninë e inagurimit të Monumentit të Nënë Terezës, në sheshin e Universitetit të Tiranës.
Në ceremoninë e Inagurimit të Monumentit të Nënë Terezës morën pjesë autoritete të larta të vendit, Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, Presidentë të vendeve të rajonit etj, pjesëmarrës në Samitin e Europës Juglindore "Zhvillimi i dialogut ndëretnik dhe ndërfetar, një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe progresin e Europës Juglindore".
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Nano u shpreh:
Është një kënaqësi e veçantë për mua që si Kryeministër i Shqipërisë t'ju uroj mirëseardhjen në një moment kaq sinjifikativ për mbarë shqiptarët: inagurimi i Monumentit të Nënë Terezës.
Kjo vepër ka një autor të nderuar, artistin dhe profesorin Thoma Thomai, por në të vërtetë kjo vepër është ngjizur kohë më parë, ditë pas dite, moment pas momenti, mrekulli pas mrekullie në vetëdijen e çdo shqiptari, madje më shumë se kaq, në memorjen e çdo qytetari të botës. Kështu, para se të materializohej në këtë përmendore, ne të gjithë e kemi një përmendore të Nënë Terezës në shpirtin tonë. Sepse brenda figurës së Nënë Terezës mishërohen cilësitë më të mira të nënave shqiptare, dhe ne jemi krenarë për këtë.
Nënë Tereza ishtë një bijë e thjeshtë, lindur në një familje shqiptare, të cilës nuk i mjaftoi hapësira shqiptare për të demostruar zemrën e saj të madhe. Për këtë arsye, Ajo e shpërndau dhembshurinë e saj anekënd globit. Pa fjalë, pa deklarata të mëdha. Ajo asnjëherë nuk pyeti për kombësinë, racën apo bindjet e të vuajturve dhe të sëmurëve, por u afroi atyre shërbimin e saj të çmuar.
Kryemedikamenti i saj ishte dhëmbshuria njerëzore. Tashmë, Kisha Katolike, pas lumturimit, është përfshirë në një proces të vetin për shenjtërimin e Nënë Terezës. Ekipe të specializuar do të vërtetojnë sipas rregullave të Kishës mrekullitë e kësaj nëne, por për ne dhe për mbarë të vuajturit e botës ajo është tashmë e shënjtë: ajo është dhe do të mbetet symbol i humanizmit. Dhe për këtë ne jemi përunjësisht krenarë!
Inagurimi që po bëjmë sot merr një simbolikë të veçantë sepse bëhet në atmosferën e Samitit rajonal për zhvillimin e dialogut ndëretnik dhe ndërfetar. Në diskutimet e sotme dhe në ato që do të vazhdojnë, politikanë të lartë dhe studiues do të kenë rastin të nënvizojnë se si bashkëjetesa jonë fetare është një nga pasuritë më të mëdha që ka siguruar jo vetëm kohezion kombëtar, por edhe skalitje të vlerave humane të shqipëtarëve, ndër të cilat unë do të veçoja solidaritetin njerëzor.
Është pikërisht kjo trashëgimi e mrekullueshme shqiptare e cila ka siguruar përballimin me qetësi jo fort të zakonshme të sfidave më të egra me të cilat është detyruar të përballet njeriu shqiptar nëpër kohëra. Është pikërisht kjo trashëgimi e mrekullueshme e cila e zmadhoi edhe zemrën e kësaj nëne para të cilës përkulemi të gjithë me respekt, ashtu siç përkulet njeriu vetëm para nënës.
E përjetshme vepra e Nënës Terezës!