Kryeministri Fatos Nano u takua sot me Sekretarin Parlamentar të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Z.Fritz Rudolf Korper. Në fillim të takimit, Kryeministri N
Kryeministri Fatos Nano u takua sot me Sekretarin Parlamentar të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Z.Fritz Rudolf Korper.
Në fillim të takimit, Kryeministri Nano vlerësoi si shumë të mirë bashkëpunimin midis dy vendeve në fushën e rendit publik dhe të sigurisë, si dhe në fushën e shërbimeve inteligjente, si pjesë e rëndësishme e kuadrit të përgjithshëm të marrëdhënieve shumë të mira në të gjitha fushat, të cilat Qeveria Shqiptare i konsideron prioritare dhe me rëndësi të veçantë.
Kryeministri Nano vlerësoi faktin që në nivel bilateral, Republika Federale Gjermane renditet si një nga donatorët kryesore ndaj vendit tonë.
"Vlerësojmë lart rolin e Qeverisë Gjermane për mbështetjen që u ka dhënë reformave demokratike që po ndërmerren për konsolidimin e institucioneve në Shqipëri dhe për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike", tha Kryeministri Nano.
Më tej, Z.Nano vlerësoi ndihmën që pala gjermane ka dhënë për policinë shqiptare, në kuadrin e asistencës teknike dhe logjistike, reformimin e sistemit arsimor policor, etj, ndihmë kjo që llogaritet në shumën prej 3 milionë DM.
Kryeministri Nano i ka kërkuar Sekretarit parlamentar të Shtetit gjerman që asistenca të fokusohet në të ardhmen, kryesisht drejt Policisë Kufitare, parë kjo jo vetëm në prizmin e përmbushjes së standarteve europiane të sigurisë dhe të menaxhimit të kufijve, por mbi të gjitha, duke e konsideruar kufirin si barrierën e parë kundër të gjitha trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar, gjë që do të nxiste më tej lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në rajon.
"Për ta programuar dhe për ta institucionalizuar sa më mirë bashkëpunimin tonë, në të gjithë sektorët e veprimtarisë policore, tashmë ka ardhur koha për të nënshkruar një Marrëveshje dypalëshe Bashkëpunimi" , tha Z.Nano.
Pasi u ndal në progresin e shënuar nga Shqipëria, gjatë viteve të fundit, në treguesit ekonomikë, në reformat institucionale e ligjore, në luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar, Kryeministri Nano kërkoi më shumë mbështetje nga Gjermania për njohjen e këtyre arritjeve nga institucionet ndërkombëtare, edhe në kuadrin e përshpejtimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në Bashkimin Europian.
Sekretari parlametar i Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Fritz Rudolf Korper, i shprehu vlerësimet pozitive Kryeministrit Nano për progresin e bërë nga Shqipëria në fusha të ndryshme, progres të cilin ai e cilësoi si të dukshëm.
Z.Fritz Rudolf Korper ka shprehur gatishmërinë e palës gjermane për një pjesëmarrje më aktive në Qendrën Antitrafik të ngritur në Vlorë.
Sekretari parlamentar i Shtetit gjerman siguroi Kryeministrin Nano për vazhdimin e bashkëpunimit dhe të asistencës së vendit të tij, jo vetëm në fushën e rendit publik dhe të sigurisë, por edhe më gjerë, në proçeset integruese të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike.