Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot në Romë një takim me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit italian, Gustavo Selva. Dy personalitetet e larta diskutuan mbi marrëdhëniet dypal
Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot në Romë një takim me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit italian, Gustavo Selva.
Dy personalitetet e larta diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe midis Italisë dhe Shqipërisë, të cilat u cilësuan të një niveli mjaft të lartë. Po ashtu, në takim u diskutua për rrugën e integrimit të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike, si dhe për vazhdimësinë e mbështetjes së Italisë në këtë drejtim.
Në përfundim të takimit Z.Selva dhe Kryeministri Nano iu përgjigjën interesimit të mediave.
Z.Gustavo Selva:
Diskutuam gjëra shumë të rëndësishme dhe interesante, në kuptimin të rëndësishme sepse ishim tërësisht dakort për mënyrën sesi po zhvillohet lufta kundër terrorizmit, si të zhvillojmë marrëdhëniet tona, në mënyrë që gjërat të funksionojnë midis Italisë dhe Shqipërisë, dhe ato funksionojnë gjithnjë e më mirë sepse besoj se zgjerimi i aktiviteteve prodhuese italiane në Shqipëri shtohet nga dita në ditë. Kjo falë edhe klimës politike të krijuar nga Qeveria Berluskoni dhe besoj se është e rëndësishme edhe për opinionin europian. Vlerësova pjesëmarrjen e Kryeministrit Fatos Nano në ceremoninë e zgjerimit të Aleancës Atlantike në Uashington. Ky është një lajm shumë i mirë, sepse do të thotë që integrimi midis pozicionit politik të Italisë, politikës së jashtme, politikës së mbrojtjes, politikës ekonomike, është tepër konkret. Besoj se ata që duhet të gëzohen janë edhe qytetarët e Italisë dhe ata të Shqipërisë.
Z.Fatos Nano:
Është një rast gjithmonë i dobishëm të shkëmbesh mendime me Kryetarin e Komisinit të Jashtëm të Dhomës Italiane të Deputetëve, me një njeri aktiv të historisë moderne të integrimit europian dhe të progresit të Italisë, rolit që ka sot në botën euro-atlantike, një mik i madh i Shqipërisë që ka shoqëruar tranzicionin drejt të njëjtave standarte që sot kanë forcuar bashkëpunimin midis nesh, një avokat akoma më të shquar të integrimit tonë në NATO dhe në BE, një partner të sigurt në koalicionin e solidaritetit dhe të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafiqeve, një mbështetës të sigurt për të rritur efikasitetin e marrëdhënieve europiane dhe ndërkombëtare të Shqipërisë dhe të Ballkanit.