Kryeministri Rama drejt mbledhjes së Bordit të Paqes në Uashington

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo publikoi sot një foto me kryeministrin Edi Rama gjatë udhëtimit për në mbledhjen e Bordit të Paqes në Uashington.
Presidenti amerikan Donald Trump do të udhëheqë sot mbledhjen e parë të Bordit të Paqes, një strukturë ndërkombëtare e krijuar për të adresuar situatën në Rripin e Gazës.
Takimi, që pritet të përfshijë përfaqësues nga mbi 45 vende plus Bashkimi Evropian, mbahet ndërsa mbeten ende pa u zgjidhur çështje kryesore lidhur me paqen dhe stabilitetin në Gaza.
Në rendin e ditës janë probleme të rëndësishme si çarmatimi i luftëtarëve të Hamasit, madhësia e fondit për rindërtimin e zonës dhe mënyra e shpërndarjes së ndihmës humanitare për popullsinë e prekur nga lufta.
Zyrtarët amerikanë njoftojnë se vendet pjesëmarrëse kanë mbledhur rreth 5 miliardë dollarë për fondin e rindërtimit, përfshirë kontribute prej rreth 1,2 miliardë dollarë nga Bashkimi Evropian dhe Kuvajti, megjithatë nevojat reale mbeten dukshëm më të mëdha.
Takimi zhvillohet në objektin “Donald J. Trump U.S. Institute of Peace”, i cili do të shërbejë si platformë për diskutime mbi një plan më të gjerë paqeje.
Pritet që Trump të njoftojë planet e disa vendeve për dërgimin e mijëra trupave ndërkombëtarë në një forcë stabilizimi për Gazën, vendosja e të cilëve do të varet nga çarmatimi i Hamasit.
Në mesin e folësve të takimit do të jenë emra si sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, përfaqësues të SHBA-së dhe figura të tjera ndërkombëtare, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.
/gj.m/a.f/r.e/