Kryeministri Rama, vizitë në Bruksel - ATSH -
TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Bruksel, ku mori pjesë në Euronews Enlargement Summit, një forum i nivelit të lartë kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian dhe perspektivës europiane të vendeve aspirante për anëtarësim.
Diskutimet e Samitit u përqendruan në progresin e vendeve kandidate, reformat, angazhimet dhe faktin se si zgjerimi mund të riformësojë sigurinë evropiane, demokracinë, konkurrencën ekonomike dhe autonominë strategjike.
Gjatë punimeve të Samitit, Kryeministri Rama dha një intervistë mbi rrugëtimin drejt Bashkimit Europian dhe sfidat e së ardhmes.
Në intervistën për Euronews, Rama u ndal te ecuria e Shqipërisë në këtë proces ku paralelisht vijon puna dhe takimet teknike për mbylljen e grupkapitujve të radhës.
Po ashtu, gjatë vizitës së tij në Bruksel, kryeministri Rama u prit në një takim Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Gjatë takimit të zhvilluar në selinë e NATO-s, Rutte inkurajoi ecurinë e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri, si edhe seriozitetin e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të NATO-s.
1 nga 14
/m.m/j.p/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
