Kryeministrit Berisha prononcohet mbi temat dhe përfundimet e seminarit “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”, në Paris
- Kryeministri Berisha takohet me Presidentin e Grupit francez GDF SUEZ
Kryeministri Berisha ndoqi sot sesionin e paradites të Seminarit “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”, që u mbajt në Paris, me iniciativë të qeverisë franceze. Në përfundim të tij, Kryeministri Berisha u shpreh në një prononcim për median mbi temat dhe përfundimet e seminarit. Kryeministri tha se, nisur nga pikëpamjet e idetë që u mbrojtën në seminar, modeli shqiptar është në përputhje të plotë me drejtimet e reja, parashikimet e vizionet e zhvillimit ekonomik dhe shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar.
Kryeministri Berisha: Kjo konferencë, e organizuar nga qeveria franceze, në të cilën ishin të pranishëm Kryeministri i Francës Fillon, disa ministra të qeverisë franceze, ministri i Ekonomisë Besson që është edhe organizatori kryesor i saj, kryeministra e zyrtarë nga vende të tjera, ishte jashtëzakonisht interesante dhe e rëndësishme. Dje u diskutua gjerësisht mbi modelet e suksesit dhe siç e konstatuat theksi u vu kryesisht në vendet e BRIK-ut, Brazil, Rusi, Indi, Kinë, por, e vërteta është, se theksi dhe një vend të veçantë pati edhe modeli i Shqipërisë, si një ndër modelet më të suksesshme sot. Model, i cili ka garantuar rritjen e konsoliduar të ekonomisë, një model, i cili, ndoshta si asnjë vend tjetër, ka realizuar rritjen me 100 për qind të eksporteve shqiptare, pra, dyfishimin e tyre në harkun kohor 2009-2011, një model që ka shënuar rritjen prej 316 për qind të investimeve të huaja në harkun kohor 4 vjeçar, një model, i cili në një hark kohor 5-6 vjeçar i ka dhënë të ardhura ekonomike vendit mbi 7 miliardë dollarë më shumë. Ky model, i bazuar në lirinë ekonominë, taksat e ulëta, qeverinë e vogël, përmirësimin e klimës së biznesi dhe zhdukjen e pengesave burokratike, u konsiderua këtu dhe konsiderohet kudo, siç u theksua dje, si një model suksesi. Pata rastin të bëj një ekspoze të këtij modeli dhe të shpreh mendimet e mia për potencialet e mëdha të Shqipërisë.
Në konferencë u diskutua se ku qëndron fuqia, sot dhe fuqia, sot e gjithmonë, qëndron mbi të gjitha, tek liria. Liria është fuqia kryesore. Natyrisht, modelet që sot janë modele suksesi, në gjykimin e vlerësimin tim, nuk synojnë të zëvendësojnë modelet ekzistuese, por janë një apel për reformime të tjera të këtyre modeleve. Kështu, për shembull, barra e ulët fiskale është e faktuar shkencërisht e në praktikë si një nga sukseset e mëdha të zhvillimit të shpejtë ekonomik.
Pati diskutime të gjera mbi drejtimet themelore të zhvillimeve të sotme dhe gjej me shumë kënaqësi që Shqipëria ka përqafuar këto drejtime themelore. U theksua se sot, energjia është drejtimi themelor dhe unë sapo përfundova një takim me Korporatën Energjetike të Francës që është grupi Suez, i cili më tha se konstatojmë se Shqipëria po bëhet një basen e mrekullueshme e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe ne duhet të jemi pjesëmarrës në këtë zhvillim.
Drejtimi i dytë themelor është teknologjia e lartë. Informova audiencën dhe sot, me fjalën time të shkurtër, me progresin e madh që ka bërë Shqipëria me aplikimin e kësaj teknologjie dhe vendosmërinë e saj për ta shtrirë në çdo qelizë të vendit.
Drejtim tjetër themelor ishte bujqësia e modernizimi i saj, gjë që ne e kemi vendosur në epiqendër të përpjekjeve tona.
Në konferencë, në rast se dje u diskutua gjerësisht për modelet e reja dhe se ku qëndron fuqia e tyre, sot u diskutua për kufijtë e rinj dhe drejtimet më të rëndësishme që duhet të ndjekë ekonomia botërore në vite që vijnë. Krahasuar me pikëpamjet e idetë që u mbrojtën, gjej që modeli shqiptar është në përputhje të plotë me këto drejtime të reja, parashikime e vizione të zhvillimit ekonomik dhe shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar.
Sot pasdite do të ketë folës të tjerë të rëndësishëm, kryeministra, Zëvëndëspresidenti i Komisionit Europian dhe në darkë do të marrim pjesë në pritjen që jep për pjesëmarrësit kryesorë në këtë konferencë Presidenti Sarkozy, i cili do të mbajë edhe një fjalë shumë të rëndësishme mbi qëndrimet e qeverisë franceze për zhvillimet aktuale në Europë e në botë.
***
Po sot, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim, me Presidentin dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Grupit të madh francez GDF SUEZ, zoti Gerard Mestrallet dhe Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë nacionale të Rhonit, pjesë e këtij grupi, zoti Mathieu Bonnet.
Zoti Mestrallet, pasi e përgëzoi Kryeministrin Berisha për situatën ekonomike të Shqipërisë, e cila shënoi rritje të suksesshme edhe në këtë kohë krize, shprehu gatishmërinë e Grupit të tij për të investuar në Shqipëri. Në këtë kontekst, ai i komunikoi Kryeministrit vendimin për të hyrë gjerësisht me investime në Shqipëri, si vend me potenciale të mëdha e i qëndrueshëm. Projektet e Grupit synojnë energjinë e rinovueshme, në fushën e hidrocentraleve, parqe me erë dhe diellore. Qëllimi i projektit të tyre është kthimi i Shqipërisë në një rezervuar energjie për Europën.
Kryeministri Berisha i falënderoi për vendimin e tyre për të investuar në Shqipëri dhe ju bëri një paraqitje të të gjitha potencialeve të vendit në fushën e energjisë. Kryeministri theksoi se tregu i energjisë është drejt liberalizimit të plotë, falë reformave e kuadrit ligjor, të hartuar e zbatuar nga qeveria shqiptare. Kryeministri i siguroi për mbështetje dhe transparencë në suksesin e projekteve të tyre.
06/01/2012