Kryeparlamentari grek letër urimi Spiropalit: Të nxisim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe

Kryetari i Parlamentit të Greqisë, Constantine An.Tassoulas, ka uruar homologen e tij Elisa Spiropali, me rastin e zgjedhjes në krye të Kuvendit.
Në letrën e urimit, Constantine An. Tassoulas, ka kërkuar nxitjen e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe mes Greqisë dhe Shqipërisë.
“E nderuara zonja Kryetare,
Me rastin e zgjedhjes suaj Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, dëshiroj t’ju shpreh personalisht dhe në emër të deputetëve të Parlamentit të Greqisë urimet tona dhe t’Ju uroj suksese në përgjegjësitë tuaja të reja.
Jam i bindur se nga Zyra Juaj e Lartë, Ju do të jepni një kontribut thelbësor në nxitjen e bashkëpunimit parlamentar ndërkombëtar dhe dypalësh dhe në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve tona.
Ju lutemi pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.”, thuhet në letër.
Më 30 korrik, Spiropali u votua me 75 vota pro dhe 4 kundër në krye të Parlamentit. Zgjedhja e saj u kundërshtua nga opozita, deputetët e së cilës protestuan duke goditur tavolinat me grusht e duke hedhur ujë në drejtim të socialistes.
Në fjalën e saj para deputetëve, Spiropali garantoi opozitën se do jetë vullnetmirë.
Spiropali zëvendësoi në këtë detyrë Lindita Nikollën e cila dha dorëheqjen me arsyetimin e problemeve shëndetësore.
/rtsh.al/