Kthimi i emigrantëve nga Anglia, Balla: Bashkëpunim me Britaninë edhe për të luftuar trafiqet e paligjshme

Në Tiranë u zhvillua takimi i Komitetit Mbikëqyrës të Task Forcës së përbashkët mes Shqipërisë, Britanisë së Madhe dhe Kosovës, kundër migracionit të parregullt dhe bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar. Në të morën pjesë ministri i Brendshëm Taulant Balla, homologu i tij kosovar Xhelal Sveçla, si dhe përfaqësues të agjencive ligjzbatuese nga Britania e Madhe.
Balla tha se shkëmbimi i informacionit në kohë reale midis strukturave policore dhe bashkëpunimi i ngushtë me SPAK, i shërben parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në vendin tonë.
“Kemi mundësuar dhe arritur kthimin e mbi 4000 personave, të cilët kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe po ashtu të theksoj se Task Forca e përbashkët për migracionin ka operacionalizuar bashkëpunimin tonë për migracionin dhe ka forcuar qëndrueshmërinë e kufirit, duke trajtuar rrugët e përdorura nga grupet e krimit të organizuar, duke kontrabanduar para, drogë, në mënyrë të jashtëligjshme”, tha Taulant Balla.
Numri një i ministrisë së brendshme foli edhe për operacionet e përbashkëta me strukturat ligjzbatuese të Britanisë së Madhe.
“Në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, për vitin 2023, në raport me Britaninë e Madhe kemi realizuar 50 operacione riatdhesimi dhe janë deportuar gjithsej 2250 shtetas shqiptarë për motive nga më të ndryshmet, qoftë për qëndrim ilegal, qoftë për vepra penale që lidhen me kultivimin e paligjshëm të lëndëve narkotike, me refuzim azili, me falsifikim dokumentacioni, për vjedhje, e gjatë këtij 6-mujori të parë të 2024, kemi pasur 25 operacione riatdhesimi me 1120 shtetas të riatdhesuar”, tha Balla.
Sipas tij rezultate mund të thellohen me rritjen e bashkëpunimit, përfshirë Kosovën, me qëllimin për ta zgjeruar edhe me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Nga ana tjetër edhe agjencitë britanike u shprehën se pas marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar me Shqipërinë, janë dhënë efekte pozitive në parandalimin e emigracionit të jashtëligjshëm./vizionplus.tv