E Martë, 3 Nëntor 2026

Kthimi i emigrantëve përmes vendeve jashtë BE, linja e Giorgia Melonit fiton terren

Ministrat e Brendshëm të vendeve të Bashkimit Europian u mblodhën sot më 22 korrik në Kopenhagen, ku morën në konsideratë një propozim të Komisionit Evropian për të zhvendosur jashtë kufijve të BE-së emigrantët që duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës.

Plani ka marrë miratimin fillestar të Francës dhe Gjermanisë dhe është i ngjashëm me modelet e propozuara më parë si marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë apo plani i Mbretërisë së Bashkuar për Ruandën, të cilat parashikojnë që azilkërkuesit të qëndrojnë në vende të treta ndërkohë që shqyrtohet kërkesa e tyre.

“Nëse sistemi evropian i azilit ka dështuar, na duhen zgjidhje të reja”, deklaroi ministri danez i Emigracionit, Kaare Dybvad Bek, gjatë hapjes së takimit.

Ai theksoi gjithashtu se “shteti social nuk mund të përballojë kufij të hapur”, duke reflektuar një qëndrim të fortë që i përket një vendi me një nga ligjet më të rrepta për emigracionin në të gjithë BE-në.

Në këtë klimë politike, duket se po triumfon pikërisht linja e ndjekur nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila ka qenë ndër zërat më të fortë për zhvendosjen e procedurave të azilit jashtë territorit evropian.

Nëse mbështetja për këtë qasje zgjerohet, propozimi mund të shndërrohet në politikë zyrtare të BE-së deri në fund të vitit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›