Kualifikueset e Botërorit 2026, Hysaj: Përballja me Serbinë vetëm ndeshje futbolli, të jemi të përqendruar në fushë

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht grumbullimin në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e radhës në kualifikueset e Botërorit 2026 ndaj Serbisë dhe Letonisë.
Kuqezinjtë do të zhvillojnë pasditen e sotme seancën e parë stërvitore.
Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj u shpreh në konferencën e sotme për shtyp se ndeshja ndaj Serbisë është shumë e rëndësishme, pasi Serbia është kundërshtari direkt për vendin e dytë.
Mbrojtësi kuqezi theksoi faktin që kjo ndeshje duhet të shihet vetëm si një sfidë futbolli dhe ekipi duhet të jetë i përqendruar për të dhënë maksimumin në fushë.
“Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, sepse ata janë kundërshtarët më të drejtpërdrejtë të ekipit tonë. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona nuk janë çështje për ne futbollistët, ka të tjerë që merren me këtë. Ne duhet të përqendrohemi në lojën tonë, të jemi të qetë, të përqendruar. E dimë që është kundërshtari ynë direkt. Nuk duhet të merremi me probleme të tjera që mund të ekzistojnë jashtë fushës”, tha ai.
Ai theksoi se, “të gjithë futbollistët janë të përqendruar dhe e dinë shumë mirë sa e rëndësishme është kjo ndeshje, si për ne, por edhe jashtë futbollit. Ka shumë tifozë që e presin me padurim. Sigurisht që kam folur me disa lojtarë, si për lidhjet tona të mëparshme, ashtu edhe për ndeshjet që kemi luajtur së bashku. Të gjithë e njohin historinë e Shqipërisë. U kam thënë vetëm të jemi të qetë dhe të japim më të mirën në fushë”.
Sa i përket presionit të kësaj sfide, Hysaj tha se, “po, mund të ketë presion, por mendoj që është presion pozitiv, që të shtyn të zbresësh në fushë me forcë dhe guxim. Është një ndeshje e veçantë, por mbi të gjitha është një ndeshje futbolli. Të gjithë duhet ta kuptojnë këtë. Duhet të futemi në fushë të qetë dhe të japim maksimumin për të fituar dhe për të marrë tri pikë”.
Për ndeshjen me Serbinë në vitin 2014, Hysaj u shpreh se, “të gjithë e panë atë ndeshje. Nuk ishte një imazh i mirë për futbollin dhe nuk duhet të përsëritet ajo që ndodhi atëherë. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme. Luajmë për shtetin, për tifozët, për kombin. Nëse fitojmë, do të jetë një krenari e madhe për të gjithë ne. Duhet të jemi të qetë dhe të kuptojmë se jemi futbollistë. Jemi këtu për të kënaqur tifozët dhe për të dhënë gjithçka për fitoren”.
Sa i përket gjendjes së tij fizike, Hysaj u shpreh se, “unë jam mirë. Jam rikthyer nga një dëmtim dhe tani ndjehem shumë mirë. Edhe të tjerët janë në gjendje të mirë. Është fundi i kampionatit, ndoshta ka pak lodhje, por nuk mendoj se do të ndikojë. Në stërvitje djemtë janë shumë të përqendruar. Kjo është një ndeshje e veçantë që duhet ta luajmë me zemër dhe shpirt, siç kemi bërë gjithmonë. Edhe pse mund të ketë një tifozeri të zjarrtë, ne duhet të jemi të qetë në fushë”.
Për trajnerin Silvinjo, Hysaj tha se, “trajneri bën punën e tij. Gjithmonë na këshillon të jemi të qetë dhe të mos e marrim me presion këtë ndeshje. Jemi të gjithë profesionistë dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes. E dimë që Serbia ka lojtarë të mirë dhe një skuadër të fortë. Shumë prej nesh kemi luajtur kundër tyre në Serie A dhe në kampionate të tjera. Edhe ata e dinë që jemi një ekip që lufton dhe që mund ta fitojë këtë ndeshje”.
Lidhur me rëndësinë që kanë tre pikët për kualifikimin në Botëror, Hysaj tha se, “të gjitha ndeshjet në grup janë të rëndësishme, por kjo është direkte për objektivin tonë. E dimë që Anglia është një skuadër shumë e fortë, por kundër Serbisë mund të luajmë shumë mirë letrat tona. Kemi mundësinë ta fitojmë ndeshjen”. /j.p/