Kufizohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë nga Hani i Hotit, shkak protesta e kamionistëve malazezë

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Autoritetet malazeze kanë njoftuar se më 26 janar 2026, duke nisur nga ora 11:30 dhe për një periudhë 48-orëshe, Shoqata e Kamionistëve të Malit të Zi do të zhvillojë një protestë.
Për arsye sigurie dhe për të shmangur bllokimin e rrugëve apo incidente të mundshme, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë nga Shqipëria drejt Malit të Zi deri në përfundim të protestës.
Në akset rrugore drejt vendkalimeve kufitare me Malin e Zi, do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet e vogla, automjetet e emergjencës, autobusët dhe mjetet e transportit të pasagjerëve.
Policia e Kufirit kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve të tonazhit të rëndë dhe respektimin e periudhës së kufizimit të lëvizjes për të shmangur bllokime apo incidente të mundshme.
/gj.m/a.f/