Kujtohet kryengritja e Postribës, PD thirrje qytetarëve të ngrihen në revoltë kundër qeverisë

Si çdo vit demokratët përkujtuan sot kryengritjen e Postribës, e cila është e para lëvizje kundër diktaturës komuniste. Sekretari i përgjithshëm i PD Flamur Noka, i shoqëruar nga drejtuesi politik për Shkodrën Luciano Boci dhe përfaqësues të ish-të përndjekurve zhvilluan homazhe pranë memorialit të ngritur në nderim të malësorëve dhe klerikëve të Postribës që 78 vite më parë u ngritën kundër regjimit komunist.
Noka shfrytëzoi simbolikën e kësaj kryengritje për t’iu bërë apel qytetarëve të ngrihen edhe sot kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama
“Ndaj Postriba sot kushtrim. Rezistencë e përballje kudo, në çdo fshat e qytet, për ta kthyer vendin ne shinat e demokracisë e shtetit ligjor. Duhet sakrificë”, tha sekretari i përgjithshëm i PD Flamur Noka.
Kreu i të unionit të të përndjekurve Besim Ndregjoni kërkoi që shteti shqiptar të dënojë krimet e komunizmit.
Kryengritja e Postribës është e njohur si lëvizja e parë antikomuniste në Shqipëri. Në 9 shtatorin e vitit 1946 kryengritësit sulmuan kazermat e ushtrisë dhe burgun e Shkodrës, me qëllim lirimin e të burgosurve politikë. Revolta u shtyp nga regjimi komunist dhe dhjetëra qytetare u ekzekutuan, ndërkohë që të tjerë u dënuan me burgim të përjetshëm apo me dënime të tjera të ashpra. /vizionplus.tv