Kukësi investon në shkolla, rehabilitime dhe projekte të reja para nisjes së vitit të ri mësimor

Kur na ndajnë edhe pak ditë nga nisja e vitit të ri mësimor 2026‑2027, Bashkia e Kukësit është drejt përmbylljes së punimeve për riparimet e nevojshme në objektet shkollore, por edhe për sa i përket ambienteve të reja në shkollën “Avni Rustemi”, e rikonstruktuar tërësisht.
Kryetari i bashkisë, Albert Halilaj, tha se është akorduar fondi dhe pritet të nisë puna edhe për oborrin dhe ambientet rekreative të shkollës “Avni Rustemi”, bashkë me rrethimin e saj.
“Është bërë një rikonstruksion i plotë dhe i tërësishëm. Është një investim shumë i mirë në lidhje me shkollën ‘Avni Rustemi’, e cila do të vazhdojë me kapacitet të plotë tani në shtator. Është miratuar edhe nga Ministria e Arsimit projekti ynë, i cili ka të bëjë me mjedisin dhe rrethimin e oborrit të kësaj shkolle. Po ashtu, një objekt i ri që do të jetë funksional në shtator është edhe konvikti i shkollës profesionale, dhe besoj se mjediset, siç i keni parë edhe ju, janë shumë të mira. Edhe shkolla është në kushte shumë të mira.”
Sipas kryetarit të bashkisë, këtë vit pritet të nisë puna edhe për rikonstruksionin e plotë të shkollës 9‑vjeçare “Lidhja e Prizrenit”.
“Nga ana jonë, prioritet është shkolla ‘Lidhja e Prizrenit’, e cila është një investim me vlerë 160 milion lekë pa TVSH. Ky projekt është miratuar nga Ministria e Arsimit dhe do të sjellë përmirësime të ndjeshme në infrastrukturën arsimore.”
Kryetari i bashkisë u ndal edhe në disa projekte të tjera infrastrukturore që janë në proces e sipër dhe për të cilat pritet të nisin punimet.
Në shkollën 9‑vjeçare “Avni Rustemi” nxënësit rikthehen pas dy viteve mësimi në dy shkollat e tjera të qytetit, gjimnazin “Havzi Nela” dhe shkollën 9‑vjeçare “Bajram Curri”, ndërsa konvikti “20 Dëshmorët” është i gatshëm të presë nxënësit që ndjekin shkollën profesionale, por edhe shkollën e mesme të përgjithshme.
Gazetar: B. Muçmata
/rtsh.al/