E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kukësi përkujton Ramadan Zaskocin, simbol i qëndresës dhe atdhedashurisë

Sot u zhvillua një aktivitet përkujtimor në nder të figurës së atdhetarit dhe luftëtarit Ramadan Selman Zaskoci, organizuar nga Organizata e Familjeve të Dëshmorëve në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it, dega Kukës.

Në këtë takim morën pjesë familjarë të Ramadan Zaskocit, përfaqësues të Bashkisë Kukës, pasardhës të dëshmorëve, si dhe qytetarë të shumtë, duke kujtuar me respekt dhe nderim kontributin patriotik dhe trimërinë e Zaskocit në shërbim të atdheut.

“Luftëtari i Lirisë, i Kukësit dhe i Kosovës, dha kontribute të vyera gjatë kohës në luftë kundër serbëve. Është një figurë shumë e madhe, që duhet vlerësuar,” tha Agim Braha nga Organizata e Familjeve të Dëshmorëve.

Gjatë takimit, u theksua kërkesa e familjarëve dhe komunitetit për ngritjen e një busti në nder të figurës së Ramadan Zaskocit në qytetin e Kukësit, si një shenjë mirënjohjeje dhe kujtese për brezat që vijnë.

Në përfundim të aktivitetit, Organizata e Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it Kukës i dorëzoi familjarëve një Certifikatë Mirënjohjeje me motivacionin “Patriotit, atdhetarit, luftëtarit trim Ramadan Selman Zaskoci – në nderim të jetës dhe kontributit të tij për çështjen kombëtare”.

Ky aktivitet përkujtimor shënoi një moment reflektimi dhe respekti për figurat historike që kanë dhënë gjithçka për lirinë dhe dinjitetin e kombit shqiptar.

Gazetare: Shkurte Elezaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›