Kultivuan bimë narkotike në fshatin Pllan, kapen 2 persona, në kërkim bashkëpunëtori

Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë dy persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër në kuadër të operacioneve “Territori i pastër” dhe “Sundimi i ligjit”.
Sipas informacioneve nga blutë e kryeqytetit, këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kultivuar bimë narkotike në një parcelë në pyllin e fshatit Pllan.
Gjatë kontrollit në këtë parcelë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bimë të dyshuara narkotike kanabis.
“Si rezultat i tij u arrestuan në flagrancë shtetasit V. J., 66 vjeç, T. T., 32 vjeç, banues në Zall-Bastar, si dhe punohet për kapjen e shtetasit A. K., 41 vjeç.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit V. J., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 4 armë (1 çifte, 3 armë zjarri karabinë), 4 kallëpë me lëndë të dyshuar eksplozive, 18 krëhëra automatiku, sasi municioni luftarak, 2 kundërgaze, 2 thika, 2 aparate celulare, dhe shuma parash”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/