E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kumbaro: 1,03 miliardë euro për arsimin në vitin 2027, përfitojnë 59 mijë nxënës dhe 79 mijë studentë - ATSH -

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro prezantoi sot në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, projektligjin “Për Buxhetin e Vitit 2027” për arsimin.

Duke e konsideruar një rritje historike, ministrja Kumbaro ka bërë me dije se projektbuxheti i vitit 2027 për Ministrinë e Arsimit parashikohet në vlerën 67,95 miliardë lekë.

“Ministria e Arsimit do të administrojë për vitin 2027 një buxhet prej 67,95 miliardë lekësh, afërsisht 748 milionë euro, me një rritje prej 4,8% krahasuar me buxhetin që miratuam një vit më parë. Të pesë programet buxhetore për vitin 2027 marrin më shumë fonde se këtë vit që po përmbyllim, dhe asnjë zë i arsimit nuk hyn në vitin e ri me më pak buxhet, përkundrazi të gjitha zërat, që nga arsimi parauniversitar, deri tek arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor, pësojnë rritje të ndjeshme”, bëri me dije Kumbaro.

Kumbaro nënvizoi se me buxhetin e vitit 2027 do të mbështeten në sektorin e arsimit të gjithë komponentët, nga arsimi parashkollor, tek arsimi i lartë dhe fondet e dedikuara për këto sektorë arrijnë në rreth 1,03 miliardë euro.

“Fondet dedikuar sektorit të arsimit arrijnë në 93,7 miliardë lekë, rreth 1,03 miliardë euro, dhe parashikimi është që deri në vitin 2029 sektori të kalojë për herë të parë pragun e 100 miliardë lekëve. Totali i vitit 2027 është 3,8 miliardë lekë më shumë se buxheti fillestar i 2026-ës. Investimet kapitale të Ministrisë së Arsimit arrijnë në rreth 19,5 miliardë lekë në tre vitet 2027–2029, afërsisht 89% nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga donatorët, dhe rriten me rreth 24% midis vitit 2025 dhe vitit 2029, më shumë se çdo kategori tjetër e buxhetit. Financimet e drejtpërdrejta të Ministrisë së Arsimit u shërbejnë: mbi 270 mijë fëmijëve dhe nxënësve të arsimit parashkollor dhe bazë, rreth 59 mijë nxënësve të arsimit të mesëm të lartë dhe rreth 79 mijë studentëve, e këtu flasim vetëm për institucionet publike. Gjithashtu janë 30.800 punonjës që paguhen nga buxheti i Ministrisë, konkretisht mësues, mësues ndihmës, psikologë, punonjës socialë e oficerë sigurie, si edhe nga rreth 5.800 anëtarë të trupës akademike, ndihmës akademikë e administrativë në universitetet publike”, nënvizoi ministrja Kumbaro.

Projektbuxheti i vitit 2027 për arsimin arrin në 67,95 miliardë lekë, me një rritje prej 4,8% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa financimi i përgjithshëm për sektorin e arsimit, përfshirë bashkitë, universitetet dhe institucionet e tjera, kap vlerën e 93,7 miliardë lekëve rreth 1,03 miliardë euro. Rritje e mëtejshme e investimeve në arsim, rritje e mbështetjes për studentët, arsim gjithëpërfshirës dhe zgjerim i programeve në arsimin parauniversitar janë shtyllat kryesore që mbështet buxheti i vitit 2027 në sektorin e Arsimit.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›