E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro: 14 projekte kërkimore të financuara në 2026, nga inteligjenca artificiale te mirëqenia sociale

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Arsimi, teknologjia, punësimi dhe mirëqenia e të rinjve janë në fokus të projekteve të kërkimit shkencor të financuara gjatë vitit 2026.

Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit këtë vit janë financuar 14 projekte kërkimore, të orientuara drejt sfidave dhe nevojave të brezit të ri.

Projektet trajtojnë tema të ndryshme, duke nisur nga zhvillimi i kompetencave universitare dhe orientimi i të rinjve drejt tregut të punës, deri te përdorimi i inteligjencës artificiale dhe digjitalizimit në arsim.

Një tjetër grup projektesh fokusohet te mirëqenia psikologjike dhe sociale, gjithëpërfshirja, ndërgjegjësimi mjedisor dhe kompetencat klimatike.

Në fokus të kërkimit janë edhe lidershipi i të rinjve, bullizmi, diskriminimi, drejtësia sociale dhe të drejtat e të rinjve.

Kumbaro theksoi se financimi publik i kërkimit shkencor synon të mbështesë projekte që nisen nga pyetjet dhe sfidat reale të të rinjve, duke e lidhur kërkimin me nevojat e arsimit, karrierës, teknologjisë dhe shoqërisë.

“Investimi në dije, kërkim dhe inovacion është një investim te brezi i ri dhe te e ardhmja”, u shpreh Kumbaro.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›