E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kumbaro: Agjencia e Shërbimeve Arsimore do të jetë publike, por me standardet më të larta ndërkombëtare

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Në interpelancën e sotme në Kuvend, kërkuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro dha sërish detaje të ligjit për ngritjen dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore.

Ajo sqaroi se kjo agjenci do të jetë publike, autonome dhe veprimtaria e saj do të mbikëqyret nga Ministria e Arsimit.

”Agjencia është publike, vetëm publike, dhe sipas ligjeve të shtetit shqiptar dhe do të kontrollohet si çdo agjenci tjetër publike nga qeveria dhe institucionet e tjera kontrolluese dhe audituese te shtetit. Së bashku me ekspertët e Universitetit të Kembrixhit, kemi rënë dakord për të ndërtuar një sistem më modern, më të drejtë dhe më transparent, i cili i përgjigjet standardeve ndërkombëtare dhe nevojave të arsimit në vend”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro vuri në dukje se me krijimin si një agjenci autonome do të realizohet më së miri misioni i saj, që është garantimi i interesit publik në ofrimin e shërbimeve në fushën e arsimit, profesioneve të rregulluara, vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe nxitja, me synimin e përmirësimit të shërbimeve arsimore dhe krijimit të kushteve të favorshme në interes të publikut, duke krijuar kapacitetet e nevojshme të burimeve njerëzore dhe fizike për shtimin e shërbimeve të reja.

“Veprimtaria e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore do të mbikëqyret nga Ministria e Arsimit, e cila do të ketë për detyrë të verifikojë zbatimin korrekt të politikave dhe strategjive kombëtare në fushën e arsimit”, tha Kumbaro.

Gjatë fjalës së saj, ministrja sqaroi se marrëveshja me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, parashikon mbështetjen financiare të fondacionit për ekspertizë, për teknologji dhe për infrastrukturën e nevojshme për Agjencinë e re, me synim krijimin e një sistemi kombëtar provimesh me cilësi të garantuar, të besueshëm dhe transparent, ndërsa do të jetë kjo agjenci autoriteti përfundimtar përgjegjës për hartimin e tezave dhe administrimin e provimeve.

”Autoriteti përfundimtar përgjegjës për hartimin e tezave dhe administrimin e provimeve, do të jetë Agjencia përmes drejtorisë së saj të Provimeve të Shtetit dhe ekspertëve që ka në organikë, përgjegjës për hartimin e tezave si dhe ekspertet e Universiteteve shqiptare”, tha Kumbaro.

Në ligjin për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, sipas ligjit për agjencitë autonome, parashikohet drejtimi nga një bord i cili është një ndër instrumentet me të cilët administrohen agjencitë autonome.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›