E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kumbaro: Mbi 4 mijë mësues u kualifikuan këtë vit, 1354 fituan titullin “Mësues Mjeshtër”

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Procesi i kualifikimit të vazhdueshëm të trupës mësimdhënëse në mbarë vendin përmes trajnimeve profesionale është pjesë e pandarë e objektivave kryesore të Ministrisë së Arsimit.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro përgëzoi sot mësuesit që morën pjesë në procesin e kualifikimit profesional, duke e cilësuar atë si një dëshmi të përkushtimit ndaj profesionit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së arsimit.

Në një postim në rrjetet sociale, Kumbaro theksoi se kualifikimi i mësuesve është shumë më tepër sesa një proces vlerësimi, pasi përfaqëson angazhimin për zhvillim profesional dhe për ofrimin e një arsimi gjithnjë e më cilësor për nxënësit.

Sipas Kumbaros, këtë vit u kualifikuan gjithsej 4106 mësues, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e cilësisë së mësimdhënies në arsimin parauniversitar.

Kumbaro tha se nga numri i përgjithshëm i mësuesve të kualifikuar, 1354 fituan kategorinë “Mësues Mjeshtër”, 1052 u kualifikuan në kategorinë “Mësues Specialist”, ndërsa 1700 fituan kategorinë “Mësues i Kualifikuar”.

Ministrja Kumbaro vlerësoi se këto rezultate pasqyrojnë përvojën, përgatitjen dhe përkushtimin e përditshëm të mësuesve në punën me nxënësit, duke theksuar se investimi i tyre në zhvillimin profesional është një investim i drejtpërdrejtë për cilësinë e arsimit.

Kumbaro shprehu urimet për të gjithë mësuesit që u bënë pjesë e këtij procesi, duke vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin dhe koordinimin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP) dhe Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (AKAP), që kontribuan në mbarëvajtjen dhe suksesin e procesit të kualifikimit.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›