E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro: Prej 5 marsit ka marrë zgjidhje trajtimi financiar i 6.761 punonjësve arsimorë të punësuar para 2017

Gjatë ditës së sotme në Kuvend, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, në një seancë pyetje-përgjigje të kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho, sqaroi ndryshimin ligjor përmes një shtese në ligjin e arsimit parauniversitar që u garanton trajtim të barabartë financiar 6,761 punonjësve arsimorë të punësuar përpara sistemit të Bolonjës.

“Çështjet që sapo u ngritën, janë zgjidhur që në fillim të muajit mars, ku me votëbesimin e kësaj salle, miratuam ndryshimet në ligjin për arsimin parauniversitar. Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhej pikërisht me një padrejtësi do të thoja të krijuar ndër vite në trajtimin financiar të një kategorie mësuesish.

Bëhet fjalë për ata që janë punësuar përpara datës 1 mars 2017, me kohë të plotë dhe pa afat, dhe që zotërojnë diploma të cilat, për shkak të kohëzgjatjes së programeve të studimit, nuk ekuivalentoheshin me 8 semestra sipas kuadrit ligjor në fuqi. Dua të siguroj se përmes ndryshimit ligjor, janë 6,761 punonjës arsimorë që përfitojnë trajtim të barabartë në raport me kolegët e tyre, duke i dhënë fund një hendeku të padrejtë në sistemin e pagave”, tha ministrja Kumbaro.

Ministrja theksoi gjithashtu se nga muaji janar i këtij viti, procesi i indeksimit të pagave me 2.5% ka nisur dhe është reflektuar tashmë në pagat e mësuesve dhe të gjithë stafit të sistemit parauniversitar.

“Janë rreth 30 mijë mësues dhe punonjës pjesë e aparatit të Ministrisë së Arsimit që përfitojnë nga ky proces i indeksimit. Ndërsa së bashku me edukatorët, me kujdestarët e konvikteve, instruktorët, psikologët, punonjësit socialë, pra me të gjitha figurat që janë pjesë e pandashme e sektorit të arsimit – pavarësisht nëse varen direkt apo jo nga Ministria e Arsimit – është mbi 36 mijë punonjës.  Sa i takon mësuesve, ky proces është zbatuar në mënyrë të unifikuar në të gjitha Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar. Në çdo rast, rritja është reflektuar pa përjashtim, me të gjitha shtesat përkatëse, duke garantuar trajtim të drejtë dhe korrekt për çdo mësues në të gjithë vendin”, përfundoi ministrja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›