E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro: Programi “Fulbright”, dyer të reja zhvillimi profesional dhe personal për të rinjtë shqiptarë

TIRANË, 28 prill/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ftoi sot profesionistë dhe studiues të rinj shqiptarë të bëhen pjesë e shkëmbimeve dhe ekselencës akademike në SHBA përmes Programit Fulbright, i cili ka hapur zyrtarisht aplikimet për vitin 2027–2028.

Kumbaro përmes një postimi në rrjetet sociale tha se ky program, ndër më prestigjiozët e shkëmbimit akademik në botë vjen si një bashkëpunim mes Ministrisë së Arsimit dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

“Programi u ofron të përzgjedhurve një eksperiencë në Shtetet e Bashkuara, duke hapur dyer të reja për zhvillim profesional dhe personal. Përmes bursave Fulbright, të rinjtë shqiptarë i bashkohen një rrjeti global liderësh, duke përfituar jo vetëm ekspertizë akademike amerikane, por edhe një përvojë të pasur kulturore që i shoqëron gjatë gjithë karrierës”, nënvizoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro bëri të ditur se aplikimet mbyllen më 30 qershor 2026.

Programi është i hapur për të gjitha fushat e studimit dhe përfituesit përzgjidhen mbi bazë merite, në një proces konkurrues. Bursa përfshin mbështetje financiare të plotë, duke mbuluar shpenzimet mujore të qëndrimit, udhëtimin ndërkombëtar vajtje-ardhje dhe fonde shtesë për aktivitete profesionale.

Sipas kritereve të përcaktuara, aplikantët duhet të jenë shtetas dhe rezidentë të Shqipërisë, të kenë përfunduar studimet doktorale (PhD), si dhe të kenë të paktën pesë vite eksperiencë në mësimdhënie ose kërkim shkencor. Gjithashtu kërkohet njohje e mirë e gjuhës angleze dhe përmbushja e kushteve për vizë J-1.

Programi parashikon që përfituesit të rikthehen në Shqipëri për të paktën dy vite pas përfundimit të bursës, ndërsa anëtarët e familjes mund të shoqërojnë pjesëmarrësit në raste të caktuara.

Programi Fulbright synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar, zhvillimin profesional dhe mirëkuptimin mes vendeve, duke krijuar një rrjet global liderësh dhe inovatorësh në fusha të ndryshme.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›