E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kumbaro: Tradita e Libohovës prezantohet para qindra turistëve në Qafën e Pazarit në Gjirokastër

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Qyteti i gurtë i Gjirokastrës gjatë këtij viti ka shënuar një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj.

Qendra muzeale e qytetit është destinacioni fillestar, pasi të gjithë turistët e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Qafa e Pazarit, “aty ku takohen tradita e Libohovës me sytë kureshtarë të qindra turistëve për t’i shtuar magjinë mbrëmjeve gjirokastrite”.

“Vajzat e Libohovës, njëra më e bukur se tjetra me kostumet tradicionale dhe energjinë rinore ndriçuan sokakët e gurit duke e kthyer në një skenë të hapur ku vizitorët që po shijojnë Gjirokastrën, u bënë pjesë e festës”, u shpreh Kumbaro.

Sipas ministres, “tradita jonë nuk është thjesht histori, por një shpirt i gjallë që frymëzon breza”.

Ndër destinacionet më të preferuara për turistët janë Pazari karakteristik, kalaja e Argjiros, banesat karakteristike të Zekatëve, Skëndulajve, Parku Natyror i Viroit apo vlerat e trashëgimisë kulturore në njësitë administrative si Parku Arkeologjik i Antigonesë, objektet e kultit.

Gjatë këtij viti bashkia e Gjirokastrës ka organizuar një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike për promovimin e vlerave të folkut, traditës, etj.

Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›