E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kumbaro me Komitetet e Mbrojtjes Civile të Përmetit dhe Këlcyrës: Të mos ulim vigjilencën ndaj zjarreve dhe rreziqeve natyrore

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Pas Gjirokastrës, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi sot një tjetër takim me Komitetet e Mbrojtjes Civile të bashkive Përmet dhe Këlcyrë.

Së bashku me gjithë institucionet që koordinojnë punën në terren për të mbrojtur territorin nga dashakeqësit dhe zjarret, Kumbaro kërkoi që të mos ulet në asnjë moment vigjilenca ndaj zjarreve dhe rreziqeve natyrore, teksa shënohet gjysma e sezonit veror.

“Përmeti e Këlcyra janë bashki të cilat kanë nën administrim sipërfaqe të mëdha pyjesh, ku kemi kaluar sfida të vështira, por që vetëm përmes komunikimit dhe koordinimit do të arrijmë të menaxhojmë me sukses edhe këtë periudhë, ndërsa Policinë e Shtetit e kemi në krah për të neutralizuar çdo përpjekje të të paudhëve që luajnë me zjarret”, u shpreh Kumbaro.

Ndërsa u shprehu mirënjohjen të gjithë punonjësve të angazhuar në shuarjen e zjarreve, si edhe banorëve të zonave të prekura që kanë qenë krah në këtë proces, Kumbaro theksoi më herët se do të ketë ndëshkime maksimale për piromanët që shkatërrojnë pasuritë e përbashkëta natyrore.

Sipas Kumbaros, nisur nga informacionet që jep Policia e Shtetit, në të gjithë territorin e vendit, në shumicën e rasteve zjarrvëniet kanë qenë nga dora e njeriut. Kumbaro u shpreh se “rreziku që zjarri të marrë vetë është aty ku ka depozitime mbetjesh, ku për shkak të dekompozimit të mbetjeve organike lëshohet gazi metan”.

“Përgjithësisht janë zjarrvënie me keqdashje që është kriminale, ose nga pakujdesia që nuk është më pak kriminale që do ndëshkohet njësoj”, pohoi Kumbaro.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›