Kumbulla prezantohet te Rayo Vallecano: Synojmë 42 pikët sa më shpejt

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla ka nisur aventurën e re te Rayo Vallecano me entuziazëm, duke vlerësuar atmosferën dhe grupin e skuadrës madrilene, ku aktivizohet edhe një tjetër shqiptar, Ivan Balliu.
Kumbulla tregoi përshtypjet e para pas transferimit te Rayo Vallecano.
“Kam ardhur me shumë entuziazëm. Gjeta një grup shumë të bashkuar, punon shumë dhe e di çfarë është të sakrifikosh. I pari që më kontaktoi ishte Balliu, i cili më mori në telefon dhe po më ndihmon shumë që të ambientohem”, u shpreh Kumbulla.
Mbrojtësi shqiptar foli edhe për objektivat e skuadrës, e cila sezonin e kaluar e përfundoi kampionatin në vendin e tetë.
“Si objektiv të parë, duhet të grumbullojmë 42 pikë sa më shpejt dhe të shikojmë pastaj, pasi është një kampionat shumë i vështirë dhe i ekuilibruar”, tha Kumbulla.
Rayo Vallecano bëhet skuadra e tretë spanjolle për Kumbullën, pas eksperiencave te Espanyol dhe Mallorca, ku mbrojtësi shqiptar ishte huazuar nga Roma.
/gj.m/j.p/