Kupa e Shqipërisë në RTSH/Tirana kualifikohet në shtesë, e ndjek edhe Bylisi

Tirana dhe Bylisi janë dy skuadrat e tjera që kanë prerë biletën për në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë duke u bashkuar me Dinamon dhe Partizanin.
Bardheblutë kanë vuajtur jo pak për të siguruar një fitore 2-1 në shtesë, njëkohësisht dhe kualifikimin përballë një Skënderbeu, që tregoi veten në pjesën e dytë. Kryeqytetasit dominuan në pjesën e parë dhe arritën të gjejnë golin me anë të Mysloviç në minutën e 41-të. Në pjesën e dytë korçarët treguan një tjetër ritëm dhe arritën të barazojnë rezultatin në fundin e takimit me anë të Janaqit duke e dërguar ndeshjen në shtesë.
Bardheblutë arritën të gjejnë golin e kualifikimit në minutën e 116-të me anë të Tares pas një aksioni të Ernest.
Edhe Bylisi kishte një provë jo të lehtë përballë Laçit, por arriti të sigurojë kualifikimin me një fitore 3-2 në shtesë, pavarësisht se luajti me një lojtar më pak nga minuta e 77-të(Sulovari u ndëshkua me karton të kuq).
Ballshiotët kaluan të parët në avantazh me anë të Mouctar, por morën përgjigjen e Mouhammad për të mbyllur pjesën e parë në barazim 1-1.
Mustapha riktheu edhe njëherë Bylisin në avantazh me një penallti, por Laçi reagoi përsëri duke barazuar me anë të Jiakponna, duke e dërguar sfidën në shtesë.
Në pjesën e dytë të shtesës Abdullahi arrin të gjejë golin me vlerën e kualifikimit duke e dërguar Bylisin në çerekfinale.