Kur do hapen bastet sportive online? Ja çfarë thotë ministri i Financave

Qeveria do të miratojë së shpejti aktet nënligjore sa i takon ligjit për bastet sportive në vend.
Deklaratën e bëri sot ministri i Financave, Petrit Malaj gjatë një deklaratë për mediat në përfundim të mbledhjes së Qeverisë.
“Ministria e Financave është duke punuar me aktet nënligjore për bastet. Është edhe një akt, i cili është miratuar sot në mbledhjen e qeverisë dhe shumë shpejt do të dalin të gjitha aktet e nevojshme në mënyrë që të mundësojmë edhe bastet online”, theksoi Malaj.
Sipas tij, “kërkohet punë dhe është marrë ekspertizë ndërkombëtare në mënyrë që kuadri ligjor për bastet sportive të jetë sipas standardeve më të mira ndërkombëtare”.
Bastet online, një aktivitet që vijon masivisht në Shqipëri në mënyrë të paligjshme, po shkakton pasoja të rënda për qytetarët dhe buxhetin e shtetit.
Afro 1.400 persona janë proceduar në dy vitet e fundit nga policia, ndërsa më shumë se gjysma e tyre kanë përfunduar në arrest me burg, që nga shkurti i vitit 2024, kur ligji u miratua në Parlament.
Shkak i kësaj vale arrestimesh është mungesa e ligjit, që nuk miraton aktet nënligjore, duke shkelur edhe afatet ligjore të vendosura nga Parlamenti për nxjerrjen e tyre.