E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kur koha marshon” ekspozohen në Korçë instrumente e dokumente historike të bandave muzikore

Në pedonalen e Korçës është çelur një ekspozitë e veçantë, që për herë të parë prezanton për publikun instrumente, fotografi, kostume dhe dokumente të rralla që tregojnë historinë e bandave muzikore dhe instrumenteve të frymës.

Synimi i kësaj ekspozite është të afrojë publikun me trashëgiminë muzikore të Korçës, duke e njohur nga afër me instrumentet dhe formacionet bandistike që kanë ndikuar në kulturën shqiptare.

“Në kuadër të festivalit të bandave frymore muzikore kemi sjellë një ekspozitë të instrumenteve që përdoren në formacione muzikore kjo për të bërë të mundur dhe të jenë të prekshëm mbi të gjitha nga publiku i ri, i cili duhet ti shohin këto instrumente”, u shpreh Ermal Sela, kurator i ekspozitës.

Ekspozita ka sjellë për herë të parë për publikun klarinetën e mjeshtrit Nevruz Nure dhe kostumin e skenës së Mihal Cikos, krijuesit të operës shqiptare, si dhe elementë të tjerë të çmuar nga formacione të ndryshme muzikore.

“Del për herë të parë kostumi i Mihal Cikos i cili është këngëtari i parë lirik gjithashtu është dhe klarineta origjinale e Nevruz Nures, i cili ka qenë një virtuoz i klarinetës”, tha Aleks Sulioti.

Ekspozita që vjen si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Bandave Frymore, do të qëndrojë e hapur për publikun, duke ofruar një udhëtim të rrallë në historinë dhe shpirtin muzikor të qytetit.

Gazetare: E. Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›