Kur ndarja kthehet në makth, rriten rastet e përndjekjes dhe shqetësimet online.

Fenomeni i përndjekjes, i klasifikuar si vepër penale, ka shënuar një numër në rritje me 109 raste për vitin 2025. Burrat që përndjekin gratë janë format më të shpeshta dhe sipas ekspertëve kjo ndodh më së shumti pas përfundimit të një marrëdhënie dashurie.
Përndjekja, qoftë ajo online apo fizike, vitet e fundit ka shënuar një rritje të numrit të denoncimeve. Referuar edhe shifrave të INSTAT për vitin 2025, kjo vepër penale shënon 109 raste.
Ekspertët thonë se më të shpeshta janë përndjekjet që përfshijnë marrëdhëniet sentimentale, por nuk përjashtohen edhe forma të tjera…
Arjana Muça, sociologe, u shpreh se “Tendenca është më shumë në rritje. Në shumicën e rasteve kemi pasur lidhje midis këtyre individëve që njihen në rrjete sociale, pra takohen me njëri-tjetrin dhe në momentin që shkëputen këto lidhje, atëherë fillon edhe shantazhimi, gjë e cila vjen si efekt i gjithë informacionit që këto individë i kanë dhënë njëri-tjetrit. Pra është një formë pushteti që ti ia delegon tjetrit dhe në momentin që kërkon të tërhiqesh, ky individ e kthen totalisht në të kundërt. Kultura dhe tradita shqiptare e ka parë gjithmonë femrën si një pronë, për sa i takon pjesës së mentalitetit mashkullor në Shqipëri, dhe në momentin që ti e humbet këtë pjesë të pronës tate, mendon që ke të drejtën të vazhdosh t’i qëndrosh afër, të kontrollosh të gjithë veprimtarinë, jetën e individit. Kjo vjen nëpërmjet ndjekjes.”
Ndërsa avokat Stefan Topalli theksoi– “Shpesh herë kemi dëgjuar që punëmarrësit janë përndjekur nga punëdhënësit në forma të ndryshme, nëpërmjet shantazhimit ose kërkimit të disa gjërave të tjera, të cilat nuk janë parashikuar në Kodin e Punës.”
Ndikimi nga të gjitha llojet e përndjekjes ka pasoja deri të rënda.
“Nëse themi për ndjekje fizike, individi nuk bën dot një jetë të qetë, të lirë. Pasi nuk janë në të dyja rastet që shohin dhe kemi pasur mjaft raste kur pretendohet deri në vetëflijimin e jetës, sepse vendosen nën petkun e fajtorit. Por ajo që duhet të kuptojnë çdo grupmoshë ka të bëjë me informacionin që duhet të marrin, si duhet të reagojnë dhe si duhet ta menaxhojnë sjelljen.”tha Arjana Muça.
“Përndjekje shumë të madhe ka nga ana telefonike mbi të gjitha, por edhe fizike, shpesh në ambiente që nuk janë shumë të populluara. Unë mendoj që është në proporcion të drejtë ajo çfarë dënohet ose çfarë është parashikuar deri tani në legjislacionin shqiptar me pasojat e veprës penale që mund të rrjedhin.”-deklaroi avokati.
Kjo vepër është përfshirë në Kodin Penal vetëm pas vitit 2012, ndërsa kjo dispozitë nuk ka përfshirë të gjitha shqetësimet që ndodhin.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/