Kurti: Anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik

Kryeministri Albin Kurti, me rastin e transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT) të NATO-s në Republikën e Kosovës, ka vlerësuar kontributin e tyre në fushën e mbrojtjes.
“Në këtë rrugëtim, roli i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) ka qenë thelbësor. Përmes këshillimit strategjik, asistencës profesionale dhe bashkëveprimit të përditshëm, NALT ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve operacionale, në forcimin e qeverisjes demokratike dhe në ngritjen e standardeve institucionale, si të Ministrisë së Mbrojtjes, ashtu edhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Kurti.
Kurti vlerësoi se prezenca e NATO-s në Kosovë, përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT), përbën një element kontribues jo vetëm për sigurinë e vendit, por edhe të mbarë rajonit. Ai ka vlerësoi edhe kontributin e drejtorit të Zyrës së NALT-it në Kosovë, Gjeneral Brigade Dr. Lange.
“Angazhimi i tij ka qenë i një rëndësie të posaçme në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona dhe NATO-s, si dhe në forcimin e kapaciteteve tona shtetërore në fushën e mbrojtjes”, tha kryeministri i Kosovës.
/rtsh.al/