Kurti: Bëj kompromis për Qeverinë, por jo për Kuvendin

PRISHTINË, 10 maj /ATSH/ Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, tha se mund të bëjë kompromis në negociata për formimin e qeverisë, por jo edhe për konstituimin e Kuvendit.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, deklaroi se Albulena Haxhiu mbetet emri i propozuar për Kryetare të Kuvendit, për çka tha se për këtë ka unitet të plotë në Lëvizje.
Kurti u shpreh se opozita mund ta quajë stabilitetin e vendit në krizë, sepse sipas tij, nuk është mësuar me funksionimin normal të institucioneve, ku qeveritë i nisin dhe përmbyllin mandatet me kohë.
Në fjalimin e tij, Kurti tha se në Kosovë nuk ka krizë institucionale e as politike. Por, siç potencoi ai, ka vakum kushtetues.
Kurti tha se LVV-ja nuk është bllokuese e procesit paszgjedhor, sepse ka propozuar kandidaten për Kryetare të Kuvendit. Sipas tij, bllokuese janë partitë opozitare që votojnë kundër apo nuk votojnë fare në seancat konstituive.
Ndër të tjera, Kurti ritheksoi se Albulena Haxhiu është propozimi i LVV-së për Kryetare të Kuvendit. Ai tha se nuk ka nevojë për koalicione e kalkulime në këtë hap konstituiv.
Sipas Kurtit, ajo që po bën opozita është bllokadë e panevojshme, që sipas tij, mund të synojë krijimin e imazhit të një Kosove në krizë.
Ai u shpreh se nuk po kërkojnë nga opozita të votojë qeverinë, por kryetaren e parlamentit.
Ai sa i përket zgjedhjeve të mundshme, tha se rezultati mund të jetë i njëjtë, apo edhe më i mirë për Vetëvendosjen.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndër të tjera foli për rrugëtimin e Lëvizjes Vetëvendosje si dhe reformat që, sipas tij, janë arritur në qeverisjen e tij. Po ashtu, ai përmendi edhe zgjedhjet lokale, për çka tha se komunat kanë mbetur mbrapa sa i përket zhvillimit.
Sipas tij, komunat e udhëhequra nga Lëvizja Vetëvendosje janë shembull se si duhet drejtuar.
/Kosovapress/