Kurti: Deficiti tregtar mbetet një nga sfidat kryesore të Kosovës, importet arrijnë 7 miliardë euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se deficiti tregtar vijon të jetë një nga sfidat kryesore të ekonomisë së vendit, pavarësisht rritjes ekonomike dhe përmirësimit të eksporteve.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale në Kosovë, Kurti bëri të ditur se gjatë vitit 2025 vendi importoi mallra në vlerën e rreth 7 miliardë eurove, ndërsa eksportet arritën në vetëm 1 miliard euro.
Ai theksoi se edhe gjatë vitit 2026, pavarësisht rritjes së eksporteve, hendeku mes importeve dhe eksporteve vijon të mbetet i konsiderueshëm.
“Përkundër rritjes ekonomike që kemi shënuar, na duhet të pranojmë që deficiti tregtar mbetet një nga sfidat kryesore të ekonomisë sonë”, deklaroi Kurti.
Ndërkohë, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për muajin shtator 2026 tregojnë se deficiti tregtar arriti në 534 milionë euro, nga 520.5 milionë euro që ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Shifrat dëshmojnë për një rritje të deficitit tregtar me 2.6% në raport me shtatorin e vitit të kaluar, duke rikthyer në vëmendje sfidën e rritjes së prodhimit vendor dhe forcimit të kapaciteteve eksportuese të Kosovës.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb