E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kurti: Do ta formojmë qeverinë! Vetëvendosje synon të bëjë koalicion me parti jo serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai do të udhëheqë sërish ekzekutivin e ri të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

“Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimi, pastaj bisedimet. Qeveria, e sigurt, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe unë”, tha Kurti.

Por Kurti nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve se me cilat parti opozitare Lëvizja Vetëvendosje, është më e përafërt.

Ndërsa negociatat vijojnë për formimin e qeverisë, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se Vetëvendosje synon ta formojë Qeverinë e re me mbështetjen e partive joserbe.

“Siç e keni parë, Qeveria Kurti 2 u formua në bashkëpunim me minoritetet joserbe. Ky është qëllimi ynë, sepse ka pasur ndikim pozitiv në Kosovë, duke parandaluar Listën Serbe, që operon nën ndikimin e Beogradit, që të ketë pushtet vendimtar, siç kishte në qeveritë paraprake”, tha Konjufca.

Ndërkohë pritet që kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës të mbledhë kryesinë e partisë në mënyrë që të diskutojë rezultatin e zgjedhjeve si dhe drejtimin që do të marrë pas certifikimit të rezultateve nga KQZ./vizionplus.tv

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›