Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë pas zhvillimeve në Lindje të Mesme

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Qeveria e Kosovës ka mbajtur të shtunën vonë një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme.
Mbledhja është mbajtur me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti.
“Kryeministri Kurti ka ritheksuar qëndrimin e qartë të institucioneve të Republikës së Kosovës se qëndrojnë të palëkundura përkrah miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar”, thuhet në një komunikatë të Kryeministrisë.
Në komunikatën e Kryeministrisë theksohet se Kosova solidarizohet me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore.
“Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, dhe se janë duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme, sikurse edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin. Ne po ashtu jemi në komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm edhe me partnerët tanë strategjikë”.
Izraeli tha të dielën se po i vazhdon sulmet kundër shënjestrave të regjimit “në zemër të Teheranit”, teksa Irani po kryen sulme në shtetet e Gjirit Arab.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur të shtunën sulme kundër Iranit, të cilat kanë rezultuar me vrasjen e liderit suprem ajotollah Ali Khamenei dhe dhjetëra figurave tjera të larta shtetërore. /REL/