E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kurti nuk i siguron votat për formimin e Qeverisë së re

PRISHTINË, 26 tetor/ATSH/  Albin Kurti, kryeministër në detyrë dhe mandatar për të formuar Qeverinë e re, nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për të nisur një mandat të ri në pushtet.

Tani i takon presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që të vendosë për hapat e mëtejmë.

Partitë e mëdha shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë paraprakisht se s’kanë votë për Kurtin dhe e kanë akuzuar atë për bllokim të shtetit prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas tyre, mundësia e vetme për stabilitet janë zgjedhjet e reja.

Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.

Kreu i partisë së dytë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se do t’i kërkojë presidentes Vjosa Osmani që të shkohet në zgjedhje menjëherë.

E sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes.

Deri atëherë, Qeveria në detyrë do t’i kryente detyrat e saj.

Kriza institucionale rrezikon t’i kushtojë Kosovës miliona euro, ndërsa faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme që të krijohen institucionet për të ruajtur stabilitetin shtetëror.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›