E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kurti pas takimit me Hanrahan: Kosova, partnere e besueshme e SHBA-së

PRISHTINË, 13 korrik/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka takuar të shtunën zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan.

Bashkëpunimi ekonomik, diplomacia dhe mbrojtja ishin ndër temat kryesore për të cilat kanë diskutuar, lexohet në një artikull të Kosovapress.

“Ishte kënaqësi të takohesha me Brendan Hanrahan . E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe diskutuam fushat për forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, diplomacinë dhe mbrojtjen, ndër tema të tjera kyçe”, ka shkruar Albin Kurti në rrjetin social “X”.

Pjesë e këtij takimi që u zhvillua në rezidencën e ambasadorit amerikan, ishin edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Diplomati amerikan, Brendan Hanrahan erdhi në Kosovë të shtunën në mbrëmje, pas vizitës në Serbi.

Vizita e tij në Kosovë, po shihet si një rikthim i vëmendjes amerikane për vendin dhe Ballkanin Perëndimor.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›