Kurti përkujton betejën e Koshares: Simbol i sakrificës dhe bashkimit kombëtar

PRISHTINË, 9 prill/ATSH/ Në 27-vjetorin e betejës së Koshares, në vendin ku ndodhi beteja më e përgjakshme dhe më heroike e luftës se UÇK-së, përveç shumë qytetarëve dhe familjarëve të dëshmorëve e bashkëluftëtarëve, homazhe ka bërë ushtruesja e detyrës se presidentes, Albulena Haxhiu e shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar.
Në Koshare, homazhe bën sot edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj si dhe kryetari e BDI-së, Ali Ahmeti,
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përkujtoi 27-vjetorin e fillimit të Betejës së Koshares, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme të luftës çlirimtare dhe përpjekjeve për bashkimin kombëtar.
Kurti rikujtoi se më 9 prill 1999, në orët e hershme të mëngjesit, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) sulmuan pozicionet ushtarake serbe në brezin kufitar mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, me synimin për të shembur kufirin që për dekada ndante shqiptarët.
“Beteja e Koshares nisi dy javë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s dhe zgjati deri në përfundim të tyre, duke u shndërruar në një nga përballjet më të ashpra në terren malor,” theksoi Kurti.
Ai vuri në pah se gjatë kësaj beteje, mijëra pjesëtarë të UÇK-së luftuan për dy muaj rresht, ndërsa 114 prej tyre ranë dëshmorë dhe mbi 400 të tjerë u plagosën.
Sipas tij, UÇK-ja, si një ushtri vullnetarësh gjithëkombëtarë, u bë aleate e NATO-s në ndaljen e fushatës së spastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës nga regjimi i atëhershëm i Serbisë.Kryeministri Kurti theksoi se çdo pranverë kujtohen me nderim të gjithaë luftëtarët që kontribuuan në këtë betejë historike, duke dhënë gjithçka për lirinë e vendit.
“Lavdi u qoftë dëshmorëve të rënë në Betejën e Koshares, sot e përmot,” përfundoi Kurti.