E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti përshëndet heqjen e masave ndëshkuese të BE:Opozita ka vendosur masat më të rënda ndaj Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përshëndeti të premten heqjen e 50 përqind të masave ndëshkuese që BE vendosi në 2023 ndaj Kosovës, duke theksuar se në janar të vitit të ardhshëm do të hiqej pjesa e mbetur e tyre.

“Ne e mirëpresim vendimin e Bashkimit Evropian për t’i hequr masat që ishin vendosur Kosovës. Ato ishin të padrejta që në ditën e parë, sepse së pari institucionet e Kosovës nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat në veri të vendit tonë. Së dyti, sepse deeskalimi i situatës ishte meritë e institucioneve të Kosovës”, tha ai.

Në mbledhjen e qeverisë në detyrë, Kurti nuk la pa thumbuar partitë dikur në opozitë, për të cilat tha se janë ato që kanë vendosur masat më të mëdha ndëshkuese ndaj vendit.

Republika e Kosovës masat më të mëdha financiare nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare. Në muajin e kaluar, përkundër insistimit tonë, Kuvendi i Republikës u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes së BE-së në vlerë 880 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro, pra mbi 1 miliard euro gjithsej, në mungesë të vullnetit dhe të votës së opozitës. Andaj uroj dhe shpresoj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit, edhe opozita e tanishme t’ia heqë masat Kosovës.”

Kurti gjithashtu theksoi se falë masave të marra në kohë nga ekzekutivi i tij dhe policia, u arrit të neutralizohej plani i financuar nga Serbia për aneksimin e veriut të Kosovës, që u synua përmes sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, ku humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku. Sipas Kurtit, çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte fatal për vendin dhe triumfi i sundimit të ligjit dhe rendit publik ka siguruar një situatë të qetë dhe funksion të institucioneve të shtetit në veri të vendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›