Kurti takon krerët e partive politike në kërkim të konsensusit për konstituim të Kuvendit

PRISHTINË, 28 qershor /ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka pritur sot në takim krerë të subjekteve tjera politike, në kërkim të konsensusit për konstituim të Kuvendit, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Në takim po marrin pjesë përfaqësues të të gjitha partive të mëdha politike shqiptare si dhe disa të pakicave.
Kuvendi vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar pasi partitë politike nuk kanë arritur pajtueshmëri për emrin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje – si fituese e më së shumti votave në zgjedhje – për pozitën e kryeparlamentarit, si dhe për ndryshimin e mënyrës së votimit nga të hapur në të fshehtë.
Takimi i së shtunës zhvillohet pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur një aktvendim të enjten që i detyron deputetët të finalizojnë procesin e konstituimit më së largu deri më 26 korrik.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet qeveria e re. /REL/