E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kurti takon kryeministrin britanik Starmer: Britania rol të rëndësishëm në sigurinë e rajonit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që u zhvillua në Londër.

Në qendër të bisedës ishin çështjet e sigurisë, rritjes ekonomike dhe migracionit. Kurti theksoi rëndësinë e rolit të Britanisë së Madhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, të sigurisë dhe paqes në Ballkan.

Dy liderët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes në fusha me interes të përbashkët si energjia, mbrojtja, infrastruktura dhe arsimi.

“Kryeministri Kurti veçoi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, ndërsa vendi ynë po vazhdon investimet në këtë drejtim. Ai falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për lajmin se Forcat e Armatosura britanike do të vazhdojnë mbështetjen për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-in, për të paktën edhe tre vjet. Po ashtu, vlerësoi thirrjen e bërë në seancën e OKB-së për njohjen e Kosovës dhe për dorëzimin e terroristit Milan Radoiçiq nga Serbia, i cili vijon të mbetet i lirë pas sulmit në Banjskë,” thuhet në njoftimin e Kryeministrisë së Kosovës.

Në kuadër të Samitit, Kurti zhvilloi takime edhe me kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, kancelarin e Austrisë, Christian Stocker, sekretaren e Jashtme britanike, Yvette Cooper, ministrin francez të Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, si dhe me liderë të tjerë të vendeve të rajonit dhe BE-së. Diskutimet u përqendruan në temat kryesore të Samitit, përfshirë sigurinë, rritjen ekonomike, migracionin, çështjet rajonale dhe procesin e integrimit evropian.

“Kryeministri theksoi rolin e rëndësishëm të Francës për sigurinë e Evropës si aktor kyç i Bashkimit Evropian dhe kontributin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar edhe nevojën për dhënien e pyetësorit dhe statusit të vendit kandidat,” thuhet në njoftimin e Zyrës së Kurtit. 

Kryeministri në detyrë shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Francës dhe për partneritetin mes dy vendeve duke nënvizuar se vlerat e përbashkëta krijojnë mundësi për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.

 /rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›