Kush është Eldi Dizdari? Media belge e quante “Shqiptari i gjatë” i kokainës

Pas operacionit të fundit të SPAK, që goditi një nga organizatat më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës, në qendër të vëmendjes është rikthyer emri i Eldi Dizdarit, i njohur edhe si Denis Matoshi, një nga personat që autoritetet shqiptare e konsiderojnë figurë kyçe të rrjetit të drejtuar së bashku me Dritan Gjikën.
Mediat belge e kanë cilësuar Dizdarin si një nga “peshat e rënda” të mafies shqiptare të drogës, duke e lidhur me trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të Europës.
Sipas një artikulli të gazetës belge GVA, gjithçka nisi me një kontroll rutinë policor në autostradën Antwerp-Eindhoven, ku oficerët ndaluan një automjet luksoz që lëvizte me shpejtësi. Vetëm më vonë ata do të kuptonin se personi që kishin ndaluar ishte Eldi Dizdari, i kërkuar nga autoritetet e disa vendeve europiane.
Artikulli përshkruan Dizdarin si një personazh me ndikim në botën e krimit të organizuar shqiptar, duke përmendur edhe dyshimet për përfshirjen e tij në ngjarjen e njohur si “Masakra e Bllokut”.
Sipas medias belge, Dizdari është vendosur prej vitesh në Dubai, ku dyshohet se ka investuar pasuri të konsiderueshme. Ai përmendet si banor i një prej komplekseve luksoze në ishullin Bluewaters, ndërsa raportimet flasin për investime milionëshe në pasuri të paluajtshme.
Në dosjet e autoriteteve belge, Eldi Dizdari njihet me pseudonimet “Shqiptari i gjatë” dhe “Alduth”.
Sipas hetimeve të cituara nga media belge, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me grupe kriminale në Antwerp për nxjerrjen e ngarkesave të kokainës nga porti, një nga pikat më të rëndësishme të hyrjes së drogës në Europë.
Artikulli e lidh emrin e tij edhe me dosjen e njohur të klanit asirian “Y.”, ku ai dyshohet për përdorim dokumentesh false dhe korrupsion.
Sipas autoriteteve belge, Dizdari konsiderohej pjesë e strukturave kriminale që menaxhonin trafikimin e mijëra kilogramëve kokainë drejt Antwerpit dhe Roterdamit.
Pas goditjes së disa prej bashkëpunëtorëve të tij në Belgjikë, ai dyshohet se krijoi aleanca të reja me grupe të tjera kriminale për të vijuar aktivitetin e trafikut të drogës.
Emri i Eldi Dizdarit është ndër personat për të cilët SPAK ka lëshuar masë arresti në kuadër të operacionit të fundit kundër trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi kriminal që ai dyshohet se drejtonte së bashku me Dritan Gjikën ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa nën sekuestro janë vendosur pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro.