E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kush përfiton nga shuarja e detyrimeve?” Tabaku përplaset me ministrin Malaj në Kuvend për paqen fiskale

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kërkoi transparencë nga Ministria e Financave lidhur me paqen fiskale dhe shuarjen e detyrimeve tatimore e doganore se kush janë përfituesit. Tabaku deklaroi se prej një muaji i ka dërguar disa shkresa ministrisë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Prej një muaji i kam dërguar disa shkresa Ministrisë së Financave për të bërë transparencë mbi amnistinë fiskale dhe shuarjen e detyrimeve tatimore e doganore. Ka nevojë për transparencë për një ligj që cilësohet si i rrezikshëm dhe potencialisht korruptiv. Duhet të dimë kush janë përfituesit, a janë përfitues koncesionarët, evazorët fiskalë, marrësit e tenderave publikë apo subjektet nën hetim nga SPAK. Nuk kam marrë asnjë përgjigje, edhe pse kam dërguar katër shkresa. Ministri duhet të bëjë transparencë dhe ky ligj nuk mund të miratohet pa një qartësi të plotë se kë ndihmon dhe kë favorizon”, tha Tabaku.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, reagoi menjëherë duke e kundërshtuar deklaratën e deputetes demokrate, ku tha se nuk është e vërtetë që i ka dërguar shkresat prej një muaji, ndërsa shtoi se janë mbi 200 mijë përfitues.

“Nuk e kuptoj si arrini të gënjeni me zë dhe me figurë se keni dërguar katër shkresa dhe se keni një muaj që i keni dërguar, kur kërkesa juaj ka ardhur vetëm para një jave. Edhe kërkesa që keni bërë është në kundërshtim me disa ligje të tjera, për shkak të nivelit të informacionit që kërkoni. Sa i takon çështjes se kush janë përfituesit e shuarjes së detyrimeve doganore dhe tatimore, janë mbi 200 mijë përfitues”, tha ministri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›