E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushi: Zgjidhje shqetësimit të mësuesve për ekuivalentimin e diplomave për efekt page

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi prezantoi sot në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet nismën për një shtesë në ligjin “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”.

Në fjalën e saj Kushi tha se kjo nismë ligjore i jep zgjidhje shqetësimit të ngritur për trajtimin financiar të të gjithë mësuesve duke përfshirë edhe edukatoret të punësuar në sistemin tonë arsimor para hyrjes në fuqi të sistemit të Bolonjës.

“Konkretisht bëhet fjalë për kategorinë e mësuesve të punësuar para datës 1 mars 2017 që kanë përvojë në mësimdhënie, por shkak të transformimeve që ka pësuar legjislacioni ynë në kuadër të përshtatjes sipas sistemit të Bolonjës diplomat e tyre janë barazvlerësuar si diploma të ciklit të parë Bachelor”, nënvizoi Kushi duke shtuar se këtu përfshihet edhe kategoria e mësuesve që kanë ndjekur master profesional me 60 apo 90 kredite.

Kushi tha se “diplomat e tyre nuk barazvlerësohen me 8 simestre për shkak të përzgjatjes së programeve të studimit, por këto programe nuk kanë pasur një cikël tjetër për t’u ndjekur me qëllim formimin e mësuesve dhe referuar ligjit të kohës ato kanë përmbushur të gjitha kriteret e punësimit”.

Sipas saj, ky propozim vjen në mbështetje të parimit të barazisë, mosdiskriminimit dhe frymës së parimit të sigurisë juridike si një nga elementet e parimit të shtetit të së drejtës.

Kushi vuri në dukje se “projektligji synon të mbështesë personelin mësimdhënës, edukatorë si shtylla e sistemit arsimor që meriton shpërblim dinjitoz i domosdoshëm për të garantuar cilësinë në mësimdhënie dhe për të motivuar profesionistët”.

Deputetja Kushi renditi si disa nga objektivat që ky projektligji synon të arrijë si; të rrisë cilësinë e arsimit nëpërmjet motivimit të mësuesve për trajtimin e tyre financiar; të theksojë rëndësinë e figurës së mësuesit si profesion i vlerësuar financiarisht; të sigurojë stabilitet social ku mësuesit ndihen të mbrojtur e respektuar duke u bërë shembull për nxënësit dhe komunitetin; të ndikojë në të ardhmen e vendit pasi investimi në mësues është investim në brezat e rinj, në zhvillimin ekonomik e kulturor të Shqipërisë.

Kushi tha se sipas statistikave të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar rezulton se 6,761 punonjës mësimorë u ka ndryshuar vlera e shtesës së nivelit të kualifikimit për grupin e diplomës për shkak të ndryshimeve të ligjit nr. 35 të vitit 2023, si dhe të VKM nr. 425 datë 26 qershor 2024, e cila përkthehet në një efekt financiar prej 203,484,000 lekësh në vit për buxhetin e shtetit.

Gjatë diskutimeve, nismëtarja paraqiti dhe dy amendime që lidhen me programin pas shkolle dhe zgjatjen e afatit të qëndrimit të nxënësve me aftësi ndryshe në shkollat e specializuara.

“Sot ka një sërë programesh në sistemin tonë arsimor si “Shkolla qendër komunitare”, “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, “Art dhe zeje ekipet sportive në shkolla”, nëse ne përfshijmë nenin 47 /1 “Programi pas shkolle” do të garantonim një qëndrueshmëri dhe një harmonizim më të mirë të këtyre programeve. Fondet që ministria e Arsimit ka në dispozicion për këto programe të ndryshme janë 500 milionë lekë, por nëse ne përfshijmë këtë nen në ligj garantojmë jo vetëm zbatimin e tyre programeve, por qëndrueshmërinë e tyre edhe në vitet në vijim”, tha Kushi.

Deputetja Kushi u shpreh se “ligji parashikon që nxënësit me aftësi të kufizuar mund të ndjekin shkollat speciale deri në moshën 19 vjeç”.

“Ligji aktualisht e kufizon deri në moshën 19 vjeç dhe pas kësaj moshe edhe pse nuk e kanë përfunduar shkollën ta detyrojnë që të dalin nga sistemi sipas ligjit që është në fuqi. Ne e dimë shumë mirë që nxënësit me aftësi të kufizuar përgjithësisht nuk e fillojnë klasën e parë në moshën 6 vjeç njësoj si fëmijët e tjerë. Nëse ne e ndryshojmë nga 19 vjeç e bëjmë 21 kjo do të ishte një ndihmë e madhe për këta nxënës, por edhe për familjet e tyre sepse ata dalin nga sistemi dhe familjet e kanë të vështirë ku të dërgojnë fëmijët e tyre”, u shpreh Kushi.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi ndryshimin e propozuar nga deputetja Kushi, i cili synon që diplomat e marra para hyrjes në fuqi të sistemit të Bolonjës të njihen si arsim i lartë me tetë semestra, ekuivalente me modelin 3+2, por vetëm për efekt page.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›