E Martë, 3 Nëntor 2026

Kushtet e vështira në fshat po rrisin çmimet e banesave me qira në Fier

Edhe qytetet që nuk janë të prekura drejtpërdrejt nga flukset turistike kanë shënuar një rritje të konsiderueshme të çmimeve të pasurive të paluajtshme, përfshirë edhe dhënien e tyre me qira, raporton A2 CNN. Në qytetin e Fierit, agjentët imobiliarë shprehen se, veçanërisht pas periudhës së pandemisë së COVID-19, ka nisur një rritje e ndjeshme e çmimeve të banesave me qira. Sot, këto çmime përllogariten të jenë rritur deri në 40% krahasuar me tre ose katër vite më parë.

Sipas agjentes imobiliare Arta Progonati nga Fieri, një nga arsyet kryesore të kësaj rritjeje është një trend i ri i vërejtur kohët e fundit: emigrantët që kthehen përkohësisht pranë të afërmve të tyre, po preferojnë gjithnjë e më shumë të marrin apartamente me qira afatshkurtër, në vend që të qëndrojnë në shtëpitë familjare.

Kjo prirje e re ka shtuar kërkesën dhe, rrjedhimisht, ka ndikuar në rritjen e çmimeve të qirave mujore, duke e bërë të papërballueshme për një pjesë të popullsisë lokale sigurimin e një banese.

Ndërsa situata aktuale konsiderohet tashmë e vështirë për qytetarët, parashikimet janë që ky trend i rritjes së çmimeve të vazhdojë, pasi tregu imobiliar në Fier po orientohet gjithnjë e më shumë drejt qirave afatshkurtra.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›