E Martë, 3 Nëntor 2026

Kushtetuesja kritikon kuvendin: Parlamenti të zbatojë pa vonesë vendimet e Gjykatës

Gjykata Kushtetuese urdhëroi për të dytën herë parlamentin të dërgojë pranë kësaj gjykate çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.
Kryetarja e gjykatës Holta Zaçaj doli vetë para medias për të njoftuar vendimin, vendim i cili si rrallëndonjëherë përmbante disa kritika të ashpra ndaj mazhorancës socialiste, e cila refuzoi njëherë të zbatonte vendimin e kësaj gjykate për mandatin e ish-ministres së Jashtme.

“Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit. Asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë. Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të saj është i tillë që u imponon të gjitha organeve shtetërore fuqinë detyruese të vendimit të saj”, tha Zaçaj.

Kryetarja e gjykatës iu kundërpërgjigj edhe deklaratave të kryeministri Edi Rama dhe figurave kryesore të mazhorancës, të cilët theksuan se gjykata nuk urdhëron dot deputetët si të votojnë.

“Kuvendi (deputetët e tij) duhet të votojë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës”, tha Zaçaj.

Sipas gjykatës kuvendi duhet të nisë sa më shpejt procedurat për të votuar dërgimin e mandatit të deputetes socialiste Xhaçka në Kushtetuese.

“Gjykata thekson se Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi.”

Kjo është hera e dytë që Gjykata Kushtetuese i thotë parlamentit se çështjet e mandatit të deputetëve shqyrtohen vetëm nga kjo gjykatë dhe në çdo rast parlamenti duhet të votojë pro. Një vit më parë gjyqtarët kushtetues i dhanë të drejtë PD, duke i kërkuar kuvendit që të votojë pro dërgimit në kushtetues të mandatit të socialistes Xhaçka.

Por në 11 prill, 72 deputetë votuan kundër kërkesës së opozitës që mandatit i ish-ministres së Jashtme të shqyrtohej në Gjykatën Kushtetuese. Tashmë mbetet për tu parë se si do ta lexojë këtë vendim mazhoranca socialiste dhe si do të veprojë në rastin e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›