Kushtetuesja në Kosovë bllokon qeverinë, asnjë hap për formimin e institucioneve deri në 30 shtator

Gjykata Kushtetuese e Kosovës njëzëri ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Masa do të jetë në fuqi nga dita e sotme deri më 30 shtator.
Ky akt u ndërmor nga Gjykata, pas ankesës së deputetëve të Listës Serbe, të cilët u shprehën kundër votimit ndaras për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve pakicë gjatë seancës konstituive.
Kushtetuesja theksoi se, pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit, “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejshme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit”.
Asnjë nga 9 deputetët e kësaj partie nuk ka marrë shumicën e votave në Kuvend për t’u zgjedhur nënkryetar.
E po ashtu nuk u zgjodh as deputeti tjetër serb, Nenad Rashiq, që nuk i takon këtij grupi./vizionplus.tv