E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja “rrëzon” Vetëvendosjen: Votimi për kryetarin i hapur, konstituimi brenda 30 ditëve

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve. Ky vendim është kundër Vetëvendosjes, e cila bllokoi për muaj me radhë konstituimin e Kuvendit, pasi këmbëngulte që votimi për kryetarin të bëhej në mënyrë të fshehtë.

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Përfaqësuesi i grupit më të madh parlamentar të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili zgjidhet përmes votimit të hapur, votim i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 herë për të njëjtin kandidat.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës po ashtu ka urdhëruar që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të jenë të gjithë deputetët e zgjedhur të pranishëm dhe të votojnë.

Ligjvënësit e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit shpërfillën një vendim të Kushtetueses, e cila u dha afat deri më 26 qershor për të konstituar Kuvendin. Pas kësaj, Gjykata vendosi masë të përkohshme, deri në shqyrtimin e kërkesave të dërguara nga PDK dhe LDK.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 seanca, por dështuan të konstituonin parlamentin.

Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.

Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe. Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka insistuar se me aktgjykimin paraprak të Kushtetueses lejohej votimi i fshehtë për kryetarin, por kjo u hodh poshtë nga gjykata me vendimin e kësaj të premteje.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›