E Martë, 3 Nëntor 2026

Kuvendi i Kosovës, dështon tentativa e shtatë për konstituimin e Legjislaturës IX

PRISHTINË, 27 prill /ATSH/ Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur as sot, 27 prill, të konstituojnë legjislaturën e nëntë, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dështoi të marrë votat e mjaftueshme për kryeparlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka propozuar për të pestën herë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, mirëpo ajo sërish mori vetëm 57 vota për, nga 61 vota të nevojshme për të marrë këtë post.

Kundër saj votuan 41 deputetë nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, ndërkaq, tre deputetët e Nismës Socialdemokrate abstenuan sërish.

Nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, deputetët e Listës Serbe nuk morën pjesë fare në votim.

Të njëjtën gjë e bëri edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.

Mirëpo paraprakisht, përfaqësuesi i LVV-së, Glauk Konjufca kërkoi nga deputetët që ta mbështesin të nominuarën e tyre për kryeparlamentare.

“Lëvizja Vetëvendosje sërish e propozon Albulena Haxhiu si kryetare të Kuvendit. I nderuari kryesues kërkoj që ta vendosni në votim këtë propozim, kurse ju të nderuar kolegë kërkoj ta mbështesni me votën e juaj”, tha ai.

Vazhdimi i seancës konstituive do të jetë të martën më 29 prill në orën 10:00 në tentimin e tetë për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›