E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi i Kosovës i rikthehet dështimeve, nuk zgjidhet dot drejtuesi i ri edhe pas vendimit të Kushtetueses

Kuvendi i Kosovës u mblodh  këtë të mërkurë për seancën konstitutive, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Por edhe këtë radhë, parlamenti dështoi të zgjidhte drejtuesin e ri.

Dy emrat e hedhur për votim, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla nuk siguruan dot shumicën e duhur.

Pas votimit, kreu i PDK-së Memli Krasniqi u shpreh se do të mbështesnin për këtë post vetëm një deputet  të Vetvendoisjes që nuk ka qënë më parë ministër i qeverisë Kurti.

“PDK-ja, siç ka thënë prej fillimit, e përsërit qëndrimin e vet; ne do të votojmë një kandidat të pranueshëm që nuk ka qenë pjesë e qeverisë së Albin Kurtit. Është e drejtë e tyre kë të duan ta kandidojnë, por është obligim ta kandidojnë dikë që zgjidhet, që kalon. Mund ta zgjedhin dikë që nuk ka qenë ministër, është çështje e tyre”, tha Krasniqi.

Ndërkohë Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka interes për ta konstituuar Kuvendin.

“Është fatkeqësi që ne sot nuk kemi institucione. Zyrat e Qeverisë janë të uzurpuara nga njerëz që ju ka kaluar mandati. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të merret seriozisht me 17 kallëzime penale që ne i kemi dorëzuar”, tha Bajrami.

Sipas Deputetes  se Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, Lëvizja  Vetëvendosje qëllimisht ka propozuar kandidate që nuk gëzojnë  mbështetjen e partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

Nga ana tjetër  deputeti i Vetvëndosjes, Hekuran Murati, ka akuzuar opozitën për bllokadë.

“Tashmë çdo gjë është e qartë, u vërtetua sot se në Kosovë ekzistojnë dy blloqe. Ata janë të interesuar ta bllokojnë vendin. Më 8 prill kishin thënë se do të votojnë dhe nuk do ta pengojnë seancën, por sot, pavarësisht ndryshimit të kandidatit, qëndrimi mbeti i njëjtë”, tha Murati.

Në këto kushte, seanca është shtyrë për në datën 22 gusht./vizionplus.tv

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›