Kuvendi, një minutë heshtje në nderim të akademikut Emin Riza

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Në nisje të seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, deputetët mbajtën një minutë heshtje në nderim të ish-deputetit dhe akademikut Emin Riza, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Emin Riza ishte një nga studiuesit më të njohur shqiptarë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale, me një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë materiale shqiptare.
Ai lindi më 3 korrik 1937 në Shkodër dhe gjatë karrierës së tij të gjatë ka shërbyer si studiues, pedagog dhe specialist pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Ai la pas një krijimtari të gjerë shkencore, me 18 monografi dhe dhjetëra artikuj shkencorë, duke dhënë një kontribut të veçantë në studimin e arkitekturës popullore dhe monumenteve të kulturës.
Emin Riza ka qenë gjithashtu kryeredaktor i revistave “Studia Albanica” dhe “Monumentet”, ndërsa ishte një nga nismëtarët e hartimit të ligjit për trashëgiminë kulturore.
Një ndër kontributet e tij më të rëndësishme ishte drejtimi i grupit të punës për përgatitjen e dosjeve të qyteteve të Gjirokastrës dhe Beratit për UNESCO-n, proces që çoi në përfshirjen e tyre në Listën e Trashëgimisë Botërore.
Për veprimtarinë e tij të spikatur në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kombëtare, akademik Emin Riza është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Gjirokastrës dhe i Beratit.
Kuvendi, një minutë heshtje për akademikun Emin Riza, foto: Andrin Hoxha 1 nga 7/gj.m/j.p/